“Është më i rrezikshmi”, pas akuzave të Vuçiç, përgjigjet deputeti shqiptar në Serbi: S’kam kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit tim

09/10/2026 13:21

Pas deklaratës së Aleksandër Vuçiçit i cili u shpreh ndër të tjera se bashkimi i partive shqiptare në jug të Serbisë është pjesë e një presioni të jashtëm ndaj Beograd, i është përgjigjur deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi.

Kamberi, për të cilin Vuçiç tha se është më i rrezikshmi, deklaroi se nuk ka kërcënuar askënd dhe se angazhimi i tij politik synon barazinë e shqiptarëve, përfaqësimin proporcional dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia.

“Nuk kam kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit tim. Nuk kam kërkuar që për një shqiptar të vriten 100 tjerë”, shkruan Kamberi.

Ai theksoi se nuk kërkon të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve, por kërkon respektimin e standardeve demokratike dhe europiane.

“Personalisht, nuk kam thënë kurrë “100 për një”
Gjatë një deklarimi në mediat serbe për rolin “armiqësor të OJQ-ve ndaj Serbisë Presidenti Vuciq më paska cilësuar si më të “keqin” ndër shqiptarët.
Do të doja ta dija: Pse? Çfarë po i pengojka tek unë?

A i pengon fakti që kam kërkuar që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejta të barabarta?
A i pengon që kam kërkuar zbatimin e marrëveshjeve që Serbia vetë i ka nënshkruar?
A i pengon që kam folur në Kuvend për diskriminimin, arsimin, gjuhën, përfaqësimin proporcional, zhvillimin ekonomik dhe fondet për komunat shqiptare?
A i pengon që kam parashtruar në procedurë parlamentare Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve?
Apo i pengojnë kërkesat e vazhdueshme për ballafaqimin e Serbisë me krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Dhe mbi të gjitha, pse e shqetëson kaq shumë fakti që shqiptarët janë bashkuar?
Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt.

Jemi bashkuar për të përfaqësuar më mirë qytetarët që na kanë votuar.
Por është legjitime të shtrohet një pyetje: a do të ishte më e përshtatshme për pushtetin që shqiptarët të ishin të përçarë, të garonin të ndarë dhe të mos kishin një zë të përbashkët në Parlament?
Unë nuk dua të spekuloj për motivet e askujt. Por nëse bashkimi politik i shqiptarëve është ajo që sot shqetëson pushtetin, atëherë pyetja duhet t’i bëhet atij që shqetësohet.

Çfarë i pengon Vuciqit te shqiptarët e bashkuar?
Sa për mua personalisht, nuk kam thënë kurrë “100 për një”. Nuk kam kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit tim. Nuk kam kërkuar që për një shqiptar të vriten 100 tjerë.
Prandaj, në vend që të më quajë “më të keqin”, presidenti mund të përgjigjet konkretisht: cila nga kërkesat e mia është antikushtetuese, cila është antidemokratike dhe cila është antievropiane?

Sepse unë nuk kërkoj të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve.
Kërkoj barazi, përfaqësim dhe respekt për të drejtat që u takojnë të gjithë qytetarëve.
Kërkoj standarde që vet Vuçiq kërkon për serbët.
Dhe nëse kjo është arsyeja pse unë jam “më i keqi”, atëherë OK le të mbetem më i keqi, nuk më duhen lavdatat e tij, por le të flasim për kërkesat konkrete dhe jo me etiketime”, shprehet Kamberi.

Top Channel