Angli-Gjermani, pakt kundër Rusisë/ Burnham dhe Merz, marrëveshje për të përballuar së bashku sulmet hibride të Moskës
Në një fjalim në Kuvend kundër reformës territoriale, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, kritikoi ashpër ndryshimet që pritet të votohen sot, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të konsoliduar pushtetin politik.
Gjekmarkaj tha se reforma nuk synon përmirësimin e administrimit, por mbajtjen e pushtetit.
Gjatë fjalimit të tij nuk munguan as batutat. “Kishte pritshmëri se do na shpëtonin Erioni me Vullnetin. Kjo reformë është incest moral, është incest etik, është incest politik, është një krim i legalizuar me votë, është një turp i përballuar pa dinjitet, është një nënshtrim kolektiv i një partie të madhe”, u shpreh Gjekmarkaj.
Fjala e plotë e Gjekmarkajt:
Të nderuar deputetë, unë po e filloj me një histori të shkurtër. Është një rishkrim nga Breht, i momentit kur Galileu gjykohet në gjyqin e inkuizicionit, ku shumëkush mbeti i zhgënjyer kur ai e mohoi teorinë e vet në dalje të gjyqit. Apostujt e tij thanë: “Na zhgënjeve, mjeshtër, ne të dinim një hero.” Ai ju tha ‘mjere ai Popull që kërkon heronj.” Në fakt, jo rastësisht të citova këtë, sepse shoh që ka patur një pritshmëri që shqiptarët sot do t’i shpëtojë Erjoni apo Vullneti, dhe në fakt ky është një gabim, sepse as shoqëria, as partitë politike nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin te dy individë, por ato duhet të jenë pjesëmarrës në jetën politike të vendit si individë. Si shoqëri duhet të kenë antikorpe, duhet të kenë dhe imunitetin e vet dhe mënyrën e vet për të reaguar dhe për ta penguar të keqen.
Pata shkruar një fjalim të gjatë sot dhe u mundova ta shkruaj relativisht mirë por hoqa dore , një fjalim ku merresha me ndarjen territoriale nga viti 1920, kur Shqipëria u njoh si shtet, 1920 nga pikëpamja legale në Lidhjen e Kombeve, duke studiuar marrëdhëniet që krahinat kanë me malin dhe me detin, marrëdhëniet që kanë me prodhimin, me historinë dhe identitetin, marrëdhëniet që kanë me kulturën, me religjionin dhe me shumëçka tjetër.
Mirëpo hoqa dorë, sepse mu duken të tepërta. Dikush më tha: “Beje për qytetarët.” Unë kam respekt për qytetarët që kundërshtojnë. Kam respekt për qytetarët që u votojnë kundra. Nuk ndaj të njëjtën kënaqësi me qytetarët që kanë frikë prej jush, me qytetarët që ende ju besojnë apo ju votojnë, qoftë me bindje, qoftë me shantazh.
Ndaj fjalimin e kam shumë të shkurtër, sepse në këtë sallë janë konsumuar argumente dhe kundërargumente të shumta gjatë kësaj dite.
Por kam një bindje personale në këto 5 vite që jam pjesë e kësaj salle: që sa herë vijnë propozime për reformë dhe për ligje, gjithmonë pas ka një hile, ka një qëllim të caktuar.
Kam parasysh, nëse bëhet një ligj për ekonominë, nënkuptohen personat konkretë që janë pas këtij ligji. Nëse ka një ligj për pronat, kam parasysh personat që do përfitojnë në bregdet apo në mal, me paketa mali apo fushe. Në qoftë se flitet për reformë, siç është reforma territoriale, qëllimi nuk është për të administruar Shqipërinë, qëllimi nuk është për të përmirësuar qeverisjen, qëllimi nuk është për t’i dhënë autonomi, për të forcuar identitete, për të krijuar vatra pushteti që ju shërbejnë qytetarëve, ose për më tepër për ta integruar më mirë Shqipërinë në Europë. Aspak. Qëllimi është për të krijuar një anarki administrative me një synim të vetëm. Synimi është mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo truk. Fjalët territor, qytetarë, dinjitet, bereqet, selamet, integrim, pasurim, predikim kërcasin si arra në gojën e Maznikut, në gojën e Taulantit e në gojën e të tjerëve, por nuk bindin askënd.
Thjesht është shërbestaria e ditës që ata duhet ta kryejnë në mënyrë rituale. Territori copëtohet, bashkohet, shqyhet, ngjitet, ndërsa deputetët socialistë përpeliten.
Asnjëherë nuk besoj të kenë qenë më ngushtë sesa sot, sepse kjo reformë është si Kushtetuta e vitit 1975. Është as logjike, as juridike dhe as europiane. Ju e merrni me mend vetë se si ka qenë ajo Kushtetutë, sa i qëndroi kohës.
Por mënyra se si po e konkludoni këtë reformë tregon se cila është marrëdhënia juaj me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Ju po silleni si pushtues.
Kjo reformë është incest moral, është incest etik, është incest politik, është një krim i legalizuar me votë, është një turp i përballuar pa dinjitet, është një nënshtrim kolektiv i një partie të madhe.
Ky është një atentat i kryer nga frika , është një rrëmujë hibride e mediokritetit që e ka prodhuar. Atëherë, kjo anarki administrative që po krijoni, mendoni se është ombrella, kupola e artë që do t’ju mbrojë nga përbuzja e shqiptarëve. Mendoj që e keni gabim, sepse është e përkohshme periudha kur popujt kanë frikë nga qeveria, por vjen dita kur qeveria ka frikë nga populli.
Kur fshihet prej tij, kur vrapon dhe struket nga gjykimi dhe përbuzja e tij. Ndaj kjo ditë mendoj po vjen, sepse edhe kjo reformë po e nxit këtë moment. Shqiptarët nga natyra janë shpërthyes dhe kur dita dhe momenti të vijnë, mendoj që ata nuk do ta njohin instrumentin e mëshirës. Kështu që përgatituni të përballeni, ose më mirë mos u përballni, thjesht ikni siç dini të ikni nga e vërteta. Faleminderit.
Top Channel