Vincenzo Montella mund të mos jetë më trajneri i Kombëtares së Turqisë. Mediat turke raportojnë se Federata Turke e Futbollit (TFF) ka marrë vendimin për t’i dhënë fund bashkëpunimit me teknikun italian, pas rezultateve të fundit zhgënjyese.

Sipas raportimeve, vendimi vjen pas dy humbjeve ndaj Italisë në Ligën e Kombeve dhe një serie rezultatesh negative në ndeshjet e fundit. Edhe pse Turqia siguroi pjesëmarrjen në Kupën e Botës, paraqitja e saj në turne nuk solli vazhdimin e aventurës përtej fazës së parë.

Gazeta turke “Milliyet” raporton se drejtuesit e federatës kanë vendosur për shkarkimin e Montellës. Sipas të njëjtit burim, trajneri italian, i cili përfiton rreth 183 mijë euro në muaj, pritet të marrë një dëmshpërblim të barasvlefshëm me pesë paga mujore.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Federata Turke e Futbollit për largimin e trajnerit.

Montella mori drejtimin e Turqisë në vitin 2023. Gjatë periudhës së tij në stol, ai ka drejtuar përfaqësuesen në 40 ndeshje, duke regjistruar 21 fitore, 14 humbje dhe 5 barazime.

Forma e fundit e skuadrës ka qenë shqetësuese. Në shtatë ndeshjet e fundit, ku përfshihen sfidat e Kupës së Botës dhe Ligës së Kombeve, Turqia ka marrë vetëm një fitore, ndërsa ka pësuar gjashtë humbje.

Arda Turan alternativa kryesore?
Nëse largimi i Montellës zyrtarizohet, federata turke pritet të nisë menjëherë kërkimin për trajnerin e ri. Në mediat turke është përmendur emri i Arda Turanit si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Kombëtares.

Ish-futbollisti i njohur turk aktualisht është trajner i Shakhtar Donetsk në Ukrainë dhe mund të rikthehet në strukturën e përfaqësueses, këtë herë në një rol tjetër.

Sipas raportimeve, shkarkimi i Montellës mund të zyrtarizohet të premten. Ndërkohë, presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmaoglu, pavarësisht kritikave pas rezultateve të fundit, nuk raportohet se po mendon të largohet nga posti i tij.

Top Channel