Nga Denisa Çerma

Dikur, skandalet kishin nevojë për dëshmitarë. Sot mjafton një kamera.

Një objektiv i vogël, i heshtur, i vendosur në cep të një studioje, në një korridor, në një zyrë apo në dorën e dikujt që thjesht po xhiron. Dhe papritur, ajo që dje mund të mohohej, relativizohej apo varrosej nën një pirg fjalësh, sot ka një pamje.

Kamerat kanë ndryshuar gjithçka.

Ato nuk kanë moral. Nuk kanë miq. Nuk kanë parti. Nuk kanë frikë. Nuk turpërohen dhe nuk harrojnë. Thjesht regjistrojnë.

Dhe pikërisht këtu fillon gjëma.

Sepse njeriu, përpara kamerës, shpesh harron se po shihet. Harrohet pushteti, harrohet pozita, harrohet fama, harrohet se pas një buzëqeshjeje, një gjesti apo një fjale mund të fshihet një histori që nesër do të shihet nga mijëra sy.

Këto ditë, një histori e bujshme që përfshin botën e ekranit, artit dhe marrëdhënieve mes njerëzve me pushtet e ka kthyer edhe një herë vëmendjen te kjo pyetje: çfarë ndodh kur kamera kap atë që njeriu mendonte se mund të mbetej vetëm mes katër muresh?

Përgjigjja është e thjeshtë: gjithçka bëhet më e vështirë për t’u fshehur.

Kjo “vegël” e vogël është e pamëshirshme, na kujton se koha kur gjithçka mund të fshihej me një telefonatë, një miqësi apo një deklaratë publike, po bëhet gjithnjë e më e largët…

Kamera nuk të akuzon.

Nuk të mbron.

Nuk të fal.

Thjesht të lë përballë asaj që ke bërë.

Pastaj, pjesën tjetër e bën publiku…Dhe kjo është ana tjetër, më e keqe e gjëmës së kameras…

Top Channel