Ka tentuar të vrasë djalin e saj? Aktorja e njohur akuzohet nga ish-bashkëshorti për dhunë ndaj 12-vjeçarit: I vendosi duart rreth qafës…

02/10/2026 15:17

Aktori i njohur francez, Olivier Martinez, ka akuzuar ish-bashkëshorten e tij, aktoren Halle Berry, se ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tyre 12-vjeçar, Maceo, gjatë një konflikti mes tyre.

Duke cituar dokumentet gjyqësore, “People” shkruan se Martinez pretendon se më 26 shtator, Berry është përplasur me djalin e tyre. Sipas tij, ajo i ka vendosur duart rreth qafës dhe është përpjekur që t’a mbyste.

Aktori e ka përshkruar këtë si incidentin “më të fundit” të një serie të pretenduar rastesh dhune. Në dokumentet e depozituara në gjykatë, Martinez pretendon se “kanë ndodhur edhe incidente të tjera abuzimi gjatë viteve të fundit”.

Babai i fëmijës ka paraqitur në gjykatë një kërkesë për masa të përkohshme mbrojtëse, duke kërkuar ndërhyrjen e gjykatës lidhur me situatën.

Në kërkesë janë përfshirë edhe një sërë mesazhesh mes ish-çiftit, në të cilat ata diskutojnë me tone të tensionuara se me cilin prind do të qëndronte djali gjatë atyre ditëve.

Në një prej mesazheve, Berry shprehet se është nëna e tij dhe se ndihet e shpërfillur nga djali. “Jam nëna e tij! Ai nuk më respekton aspak dhe as ti, si babai i tij, nuk duhet ta pranosh këtë. Nuk më respekton, ndihem sikur nuk kam zë në asgjë. Jam thjesht një portofol! Kjo nuk është e drejtë!”, thuhet në mesazhin e saj.

Të nesërmen, më 27 shtator, Berry i ka dërguar Martinez një tjetër mesazh, duke i kërkuar që ta inkurajonte djalin të fliste me të.

“Do ta vlerësoja vërtet nëse do ta inkurajoje të fliste me mua sot. Ndihem tmerrësisht keq për atë që ndodhi mbrëmë dhe e di që edhe ai ndihet kështu”, thuhet në mesazh.

Ndërkohë avokatja e Halle Berry, Marina Beck, i ka cilësuar pretendimet e Martinez si “krejtësisht të pabazuara dhe qëllimisht mashtruese”.

Ajo ka deklaruar se Berry, pavarësisht se është “thellësisht e trishtuar” nga situata, nuk do të lejojë që akuzat ta pengojnë të mbrojë atë që ajo e konsideron si interesin më të mirë të djalit të tyre.

“Berry është mësuar me këtë lloj sjelljeje nga zoti Martinez dhe, megjithëse është thellësisht e trishtuar, nuk do të lejojë që kjo ta pengojë të luftojë për të mirën e Maceos dhe t’i ofrojë atij dashurinë dhe mbështetjen që i nevojiten”, ka deklaruar Beck.

Nga ana tjetër, avokati i Martinez, Patrick Baghdaserians, ka thënë se shqetësimi kryesor i klientit të tij është “shëndeti, mirëqenia dhe siguria e fëmijës së mitur”.

Sipas tij, pikërisht për këtë arsye Martinez iu drejtua gjykatës me kërkesë për një urdhër kufizues në kuadër të një çështjeje që ai e ka paraqitur si dhunë në familje.

Kujtojmë se Halle Berry dhe Olivier Martinez paraqitën kërkesën për divorc në tetor të vitit 2015, rreth dy vjet pas martesës së tyre. Pas një procesi që zgjati gati tetë vjet, divorci u finalizua në vitin 2023. Ish-çifti ra dakord për bashkëkujdesin ndaj djalit të tyre, Maceo.

Halle Berry është gjithashtu nënë e Nahla, 18 vjeç, të cilën e ka me ish-partnerin e saj, Gabriel Aubry.

Top Channel