Zbardhet projektligji i qeverisë/ Masat aktuale të paraburgimit do të kalojnë në verifikim
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson rritjen ekonomike dhe fluksin rekord të investimeve të huaja në Shqipëri, por evidenton një sërë problemesh që vijojnë të shqetësojnë investitorët: korrupsioni, konkurrenca e pandershme, pasiguria mbi pronësinë, dobësitë në drejtësi dhe emigrimi i fuqisë punëtore.
Shqipëria paraqitet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve si një ekonomi me potencial të konsiderueshëm, por që ende përballet me probleme strukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e biznesit dhe vendimmarrjen e investitorëve të huaj.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7 për qind në vitin 2025, ndërsa inflacioni zbriti në rreth 2.2 për qind. Borxhi publik ndaj PBB-së ka rënë ndjeshëm, nga 75 për qind në vitin 2021 në 52.6 për qind në vitin 2025.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është rritja e investimeve të huaja direkte. Sipas të dhënave të raportit, FDI arriti në 1.84 miliardë dollarë në vitin 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri tani, ndërsa stoku total i investimeve të huaja arriti në rreth 17 miliardë dollarë.
Investimet amerikane rriten
Edhe investimet amerikane në Shqipëri kanë shënuar rritje. Stoku i FDI-së amerikane arriti në 490 milionë dollarë në vitin 2025, nga 382 milionë dollarë një vit më parë. Vetëm gjatë vitit 2025, investimet e reja amerikane arritën në rreth 72 milionë dollarë.
Raporti nënvizon se Shqipëria ofron në përgjithësi një regjim liberal për investimet e huaja dhe lejon, me disa përjashtime sektoriale, 100 për qind pronësi të huaj në kompani.
Mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara është në fuqi edhe një Traktat Bilateral Investimesh i vitit 1998, i cili parashikon trajtim kombëtar dhe trajtim të kombit më të favorizuar për investitorët amerikanë, si dhe mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Megjithatë, raporti evidenton se Shqipëria nuk ka një marrëveshje dypalëshe për shmangien e taksimit të dyfishtë me Shtetet e Bashkuara.
Turizmi dhe pasuritë e paluajtshme dominojnë investimet
Investimet e huaja janë përqendruar kryesisht në sektorë të lidhur me pasuritë e paluajtshme, financat, industrinë nxjerrëse dhe tregtinë.
Në vitin 2025, 34 për qind e flukseve të FDI-së shkuan në pasuri të paluajtshme, 18 për qind në shërbime financiare, 10 për qind në industrinë nxjerrëse dhe 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Raporti vëren gjithashtu se shumica e projekteve të miratuara si investime strategjike në Shqipëri kanë qenë të përqendruara në turizëm dhe janë financuar kryesisht nga investitorë vendas.
Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, është zgjatur disa herë dhe afati aktual është deri në dhjetor 2026.
Korrupsioni
Pavarësisht progresit të reformës në drejtësi, DASH e identifikon korrupsionin si një nga problemet kryesore të klimës së investimeve.
Investitorët e huaj, sipas raportit, raportojnë shqetësime për korrupsionin në administratë, gjyqësor dhe prokurime publike, si dhe për konkurrencën e pandershme, pastrimin e parave dhe ekonominë informale.
Raporti vëren se reforma në drejtësi e vitit 2016 ka sjellë ndryshime të mëdha në sistem. Procesi i vettingut ka çuar në largimin ose dorëheqjen e më shumë se gjysmës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit.
Në të njëjtën kohë, krijimi dhe forcimi i SPAK-ut dhe strukturave të tjera kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohet si një zhvillim i rëndësishëm.
Megjithatë, raporti nënvizon se largimet e shumta nga sistemi kanë krijuar edhe vakanca në gjyqësor dhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve, veçanërisht në gjykatat e apelit.
Sipas DASH, Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të rrisë hetimet për rastet e profilit të lartë të korrupsionit dhe të ndërtojë një histori më të konsoliduar të ndjekjeve penale dhe dënimeve.
Prona, një nga problemet e mëdha për investitorët
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet çështjes së pronës. DASH thekson se pasiguria mbi titujt e pronësisë, dokumentacioni i paplotë, korrupsioni dhe problemet me regjistrimin e pasurive vijojnë të përbëjnë një rrezik për investitorët.
Sipas raportit të progresit të BE-së për vitin 2025, rreth 91 për qind e territorit është regjistruar, por procesi i digjitalizimit mbetet pas.
Vetëm 43 për qind e titujve të pronësisë, 69 për qind e dokumenteve mbështetëse dhe 10 për qind e hartave kadastrale ishin digjitalizuar.
Një tjetër problem është fakti se rreth 80 për qind e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim për të garantuar saktësinë e tyre.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka vendosur objektiva për përfundimin e digjitalizimit deri në fund të vitit 2026 dhe përfundimin e regjistrimeve të para të pronave deri në vitin 2028.
Shqipëria përballet me mungesë të fuqisë punëtore
Një tjetër problem i evidentuar nga DASH është emigrimi. Sipas raportit, emigrimi i të rinjve dhe i punonjësve të kualifikuar po krijon mungesa të fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorë si turizmi.
Në vitin 2025, forca e punës në Shqipëri ishte rreth 1.28 milionë persona, ndërsa numri i të punësuarve rreth 1.17 milionë. Papunësia zyrtare ishte 8.3 për qind.
Por raporti thekson se emigrimi po redukton numrin e punonjësve të disponueshëm në tregun vendas. Kompanitë po detyrohen gjithnjë e më shumë të rekrutojnë punonjës nga vende të tjera, përfshirë vendet e Azisë Juglindore.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, sipas raportit, e ka identifikuar gjetjen e stafit të kualifikuar si një nga shqetësimet kryesore të kompanive.
Informaliteti vijon të jetë një tjetër dobësi e ekonomisë shqiptare. Sipas INSTAT, informaliteti në punësimin jo-bujqësor ishte 24.7 për qind në vitin 2024, ndërsa organizatat ndërkombëtare e vlerësojnë ekonominë informale në rreth 30–35 për qind të PBB-së. Sektorët më të ekspozuar janë bujqësia, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe ndërtimi.
DASH vlerëson se informaliteti, së bashku me të ardhurat e paligjshme nga aktivitetet kriminale, mund të shtrembërojë konkurrencën dhe të krijojë avantazhe për operatorë që nuk respektojnë të njëjtat detyrime fiskale dhe ligjore.
Bankat dhe financat: sistem më i qëndrueshëm
Në sektorin financiar, raporti evidenton një tablo më pozitive. Kreditë me probleme ranë në 3.8 për qind në fund të vitit 2025, nga 4.17 për qind një vit më parë. Kredidhënia arriti në rreth 10.7 miliardë dollarë, me një rritje prej 13.4 për qind.
Sistemi bankar mbetet likuid dhe i kapitalizuar. Mjaftueshmëria e kapitalit ishte 20.36 për qind në dhjetor 2025, mbi kërkesat e Bazelit.
Shqipëria u bë gjithashtu pjesë e SEPA-s në nëntor 2024, ndërsa transaksionet e para ndërkufitare SEPA u realizuan në tetor 2025.
Shqipëria avancon drejt BE-së
Në aspektin e integrimit evropian, raporti vëren se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm.
Negociatat për anëtarësimin në BE nisën në korrik 2022, procesi i screening-ut përfundoi në vitin 2023 dhe të gjitha grupimet e negociatave ishin hapur deri në nëntor 2025.
Qeveria shqiptare synon përfundimin e procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030.
Për investitorët, përafrimi me legjislacionin e BE-së shihet si një faktor që mund të përmirësojë më tej standardet rregullatore dhe sigurinë juridike.
Në përfundim, raporti i DASH e paraqet Shqipërinë si një treg që ka bërë progres në stabilitetin makroekonomik, digjitalizimin e shërbimeve publike, reformën në drejtësi dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Por njëkohësisht, investitorët përballen ende me probleme konkrete: korrupsionin, ekonominë informale, konkurrencën e deformuar, pasigurinë e pronës, zbatimin e dobët të kontratave, ndryshimet e shpeshta fiskale, mungesën e fuqisë punëtore dhe vonesat në sistemin gjyqësor.
Raporti evidenton kështu një kontrast të rëndësishëm: Shqipëria po tërheq nivele rekord të investimeve të huaja, por sfida kryesore mbetet krijimi i një mjedisi ku këto investime të mbështeten nga institucione më të parashikueshme, konkurrencë e barabartë dhe siguri më e madhe juridike.
Top Channel