Dy të vrarë, tre të plagosur dhe kalimtarë në mes të plumbave/ Një vit krim në seri në Sarandë, policia mbledh gëzhojat

21/09/2026 17:14

Vrasja në mes të qytetit të Sarandës e 44-vjeçarit Artan Murtaj është episodi i fundit i një serie ngjarjesh kriminale që prej më shumë se një viti kanë tronditur qytetin bregdetar.

Brenda harkut të 12 muajve, një konflikt që nisi për shfrytëzimin e një hapësire në bregdet është shndërruar në një zinxhir atentatesh, plagosjesh dhe shkatërrimesh prone, me dy viktima, tre të plagosur mes të cilëve dhe një kalimtar i rastit, i cili është në gjendje të rëndë në spital. Një bilanc i tillë lufte që mund të ishte parandaluar nga policia, mori përmasa të tillë  dhe duket se konflikti është larg shuarjes.

Gjithçka nisi më 17 korrik 2025, kur në një lokal në Sarandë, pas një konflikti të lidhur me shfrytëzimin e një hapësire pranë bregdetit, Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç, dhe Ernest Lama, 24 vjeç, të dy nga Kamza, u qëlluan me armë dhe mbetën të plagosur. Sipas hetimeve, autor i dyshuar i të shtënave ishte Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj dhe i vëllai Erjon Canaj, ndërsa në ngjarje dyshohej se kishin ndihmuar nga Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj.

Vetëm 4 ditë më vonë më 21 korrik, Saranda u trondit nga një shpërthim eksplozivi që ishte vendosur në automjetin e Klaus Jaçajt, një prej personave të lidhur me dosjen e plagosjes. Ky ishte sinjali i parë se konflikti nuk kishte përfunduar, por po hynte në një tjetër fazë, atë të hakmarrjeve. Autori Ramadan Zoto u arrestua më pas në Korçë, por arrestimi i tij nuk e ndali zinxhirin kriminal.

Më 5 tetor 2025, Saranda u trondit nga një tjetër atentat me eksploziv. Isuf Jaçaj, babai i Klaus Jaçajt, u vra teksa po udhëtonte me automjetin e tij. Në makinë ishte vendosur rreth 500 gramë tritol, ndërsa shpërthimi shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme në zonën përreth.

Më pak se dy muaj më pas, më 29 nëntor, në Ksamil u shkatërrua nga zjarri lokali i lidhur me Ramadan Zoton. Ngjarja u dyshua si e qëllimshme, por autorësia dhe motivi nuk u zbardhën.

Një ditë më parë, seria kriminale u rikthye në mes të qytetit të Sarandës. Artan Murtaj, 44 vjeç, i cili ishte përfshirë në dosjen e plagosjes së 17 korrikut 2025 dhe akuzohej për përkrahje të autorit të krimit, u qëllua për vdekje nga 2 persona që lëviznin me motor. Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit.

Një vit pas plagosjes që ndezi këtë konflikt, bilanci është i rëndë dhe konflikti dukshëm nuk është shuar. Policia arrestoi persona e dyshuar për plagosjen e dyfishtë, por autorët ngjarjeve që pasuan mbetën mister. Në dorë të bluve mbetën vetëm gëzhojat, kamerat e sigurisë dhe dosjet hetimore që pasojnë njëra tjetrën pa mundur ta ndërpresin këtë zinxhir hakmarrjeje.

Top Channel