Burg për ish-krerët e UÇK-së, protestuesit para ish-selisë së EULEX-it në Prishtinë pas vendimit të Hagës
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka cilësuar dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe “lajm thellësisht tronditës” për Kosovën.
Në reagimin pas shpalljes së aktgjykimit, Haxhiu tha se procesi juridik nuk ka përfunduar dhe përmendi mundësinë e ankimit.
“Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, shkroi ajo në Facebook.
Haxhiu tha se lufta e UÇK-së “ishte çlirimtare” dhe se, sipas saj, aktgjykimi nuk duhet të përdoret për të relativizuar krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Ajo bëri thirrje për qetësi dhe unitet pas shpalljes së dënimeve.
“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, tha Haxhiu.
Top Channel