Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë
Kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr nga kandidatura.
Siç raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka shkruar se u tërhoq meqë nuk mori përkrahjen e mjaftueshme për t’u zgjedhur si president.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu i cili thotë se ka njoftuar LDK-në dhe VV-në për vendimin e tij.
Bekim Sejdiu si kandidat për president i dalë nga marrëveshja Vetëvendosje – LDK, nuk mori mbështetjen e 6 deputetëve të LDK-së, duke bërë kështu që të mos arrihet kuorumi prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shpreh keqardhjen pas tërheqjes së kandidaturës nga Bekim Sejdiu.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet.
Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President.
Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim.
Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të. Urrejtja si mjet dhe inati personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit. E rëndësishme t’i bëjmë dëm tjetrit.
Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë.
Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në te tjerat.
Të faleminderit Bekim për gadishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, u shpreh ai.
Top Channel