Shpërthimi i Ebolas në Republikën Demokratike të Kongos, shkon në 4 mijë numri i viktimave nga 7 mijë raste infektimi
Céline Dion është rikthyer në skenë në Paris, ku u përlot gjatë performancës së saj të parë live pas më shumë se gjashtë vitesh, pas një periudhe të gjatë tërheqjeje nga aktiviteti muzikor për shkak të problemeve shëndetësore.
Përpara publikut, në një sallë të tejmbushur, këngëtarja kanadeze, dukshëm e emocionuar, u tha fansave se ishte “e mahnitshme që jemi të gjithë bashkë”.
“Unë bëra një premtim. Bëra një premtim se do të kthehesha dhe do të isha sërish në skenë. Ja ku jam, duke kënduar për ju dhe duke kënduar për veten time. Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe durimin tuaj. Unë jam gjithçka që jam sepse ju më doni”, tha Dion.
Performanca e fundit e plotë e këngëtares ishte në vitin 2020, si pjesë e turneut “Courage”. Ajo u detyrua të anulonte pjesën e planifikuar të turneut në Amerikën e Veriut në vitin 2022, pasi u diagnostikua me SPS (Stiff Person Syndrome).
SPS është një çrregullim i rrallë neurologjik autoimun, i cili shkakton shpesh ngurtësi të muskujve dhe spazma të dhimbshme, me simptoma që ndryshojnë në intensitet. Sëmundja shkaktohet nga një reagim i gabuar i sistemit imunitar, i cili sulmon qelizat nervore të shëndetshme. Aktualisht, nuk ka një kurë të njohur për këtë gjendje.
Pas diagnozës, Dion u tërhoq nga skena dhe gjatë viteve të fundit është shfaqur vetëm në disa raste të veçanta. Ajo performoi në një event virtual bamirësie për punonjësit e shëndetësisë gjatë pandemisë së COVID-19 në vitin 2020, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024, ku këndoi këngën “Hymne à l’amour” të Édith Piaf, si dhe në përfundim të sfilatës së stilistit Elie Saab në Riad të Arabisë Saudite, po atë vit.
Koncerti në Paris shënon nisjen e një serie prej 26 shfaqjesh që Dion pritet të zhvillojë në “Plenitude Arena”, që do të zgjasë nga 12 shtatori 2026 deri më 29 maj 2027.
Numri i koncerteve u rrit nga 10 në 26 për shkak të kërkesës së lartë për bileta. Sipas raportimeve, rreth 1.17 milionë bileta u shitën brenda pak orësh nga dalja në shitje, ndërsa më shumë se 9 milionë fansa tentuan t’i blinin ato.
Gjatë koncerteve, Dion pritet të interpretojë disa nga hitet e saj më të njohura, përfshirë baladën “My Heart Will Go On”, fituese e çmimeve Oscar dhe Grammy, si dhe këngë të tjera në anglisht dhe në frëngjisht, gjuhën e saj amtare, mes tyre “It’s All Coming Back to Me Now”, “The Power of Love” dhe “Pour que tu m’aimes encore”.
Rikthimi në skenë shënon një moment të rëndësishëm për këngëtaren 58-vjeçare, e cila prej vitesh është përballur me një sëmundje të rrallë, ndërsa vazhdon karrierën e saj muzikore përballë një prej sfidave më të mëdha shëndetësore të jetës së saj.
Top Channel