BE rregulla të reja për qiratë ditore: Qytetet mund të kufizojnë kur Airbnb rëndon krizën e strehimit

10/09/2026 15:35

Bashkimi Europian po përgatit rregulla të reja për qiratë afatshkurtra turistike, të ofruara përmes platformave si Airbnb dhe Booking, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve dhe mungesën e banesave të përballueshme.

Propozimi i paraqitur nga Komisioni Europian nuk vendos një ndalim të përgjithshëm në të gjithë BE-në. Ai u jep autoriteteve kombëtare dhe vendore një bazë të përbashkët ligjore për të kufizuar qiratë ditore vetëm në zonat ku provohet se ato po rëndojnë krizën e strehimit.

Një zonë mund të konsiderohet nën “presion strehimi” kur çmimi mesatar i një banese është i barabartë me të paktën tetë vite të ardhura të disponueshme për frymë dhe raporti mes çmimeve dhe të ardhurave ka ardhur duke u përkeqësuar gjatë dhjetë viteve të fundit.

Nëse blerja e një shtëpie kërkon mbi dhjetë vite të ardhura, situata mund të klasifikohet drejtpërdrejt si kritike. Autoritetet duhet të marrin në shqyrtim edhe rritjen e popullsisë, numrin e banesave të disponueshme dhe raportin mes ofertës dhe kërkesës. Ato duhet gjithashtu të provojnë se presioni mbi tregun nuk pritet të zbutet brenda tre viteve të ardhshme.

Në këto zona mund të vendosen kufij për numrin e apartamenteve turistike, rregulla më të forta regjistrimi ose masa që frenojnë hapjen e njësive të reja. Kufizimet duhet të jenë të argumentuara, proporcionale, të përkohshme dhe të zbatohen vetëm në territorin ku ekziston problemi. Ato nuk do të vendosen automatikisht nga Brukseli, por do të mbeten në dorën e qyteteve dhe qeverive.

Airbnb kundërshton qasjen, duke pretenduar se shkaku kryesor i krizës është mungesa e ndërtimeve dhe numri i lartë i banesave të pabanuara. Propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare përpara se të bëhet ligj.

Top Channel