U konfliktuan në Pattaya pasi ishin të dehur, dy marinarët amerikanë urdhërohen të kthehen në aeroplanmbajtësen ‘Abraham Lincoln’

04/09/2026 12:56

Dy marinarë të aeroplanmbajtëses amerikane “USS Abraham Lincoln” janë kthyer me urdhër në anije pas një përplasjeje në zonën e njohur të jetës së natës në Pattaya të Tajlandës.

Pas nëntë muajsh në det, dëshira e marinarëve amerikanë ishte fare e thjeshtë: ushqim, gjumë dhe ujë. Aeroplanmbajtësja bërthamore “USS Abraham Lincoln”, me rreth 5 mijë persona në bord, u ankorua në Laem Chabang, në veri të Pattayas, duke shënuar ndalesën e parë të ekuipazhit pas 286 ditësh.

Qyteti turistik u përgatit prej ditësh për ardhjen e amerikanëve. Hotele, bare, restorante dhe dyqane vendosën tabela mirëseardhjeje, ndërsa bizneset shpresonin në të ardhura deri në 3 milionë dollarë gjatë pesë ditëve të qëndrimit.

Autoritetet shtuan ndërkohë praninë policore. Marinarëve iu ndaluan sportet ujore dhe përdorimi i kanabisit, pavarësisht legjislacionit liberal të Tajlandës. Por masat nuk shmangën plotësisht incidentet. Dy marinarë u përfshinë gjatë natës në një përplasje pranë Ëalking Street, një prej zonave më të njohura të jetës së natës.

Sipas policisë, ata ishin të dehur, po ziheshin dhe po shkaktonin zhurmë. Ngjarja u konsiderua e vogël, nuk pati akuza penale dhe marina amerikane i ktheu të dy menjëherë në aeroplanmbajtëse. Vizita e “Abraham Lincoln” vjen pas një dislokimi të gjatë që nisi në nëntor nga Kalifornia dhe më pas e çoi anijen drejt Lindjes së Mesme.

Në Shtetet e Bashkuara janë ngritur pikëpyetje mbi kushtet në bord, pas raportimeve për mungesa ushqimore, probleme me sistemin hidraulik dhe raste të rënda të shëndetit mendor. Ligjvënës demokratë kanë kërkuar hetim, ndërsa presidenti Donald Trump i ka hedhur poshtë shqetësimet.

Për ekuipazhin, megjithatë, Pattaya është para së gjithash pesë ditë larg anijes, pas më shumë se nëntë muajsh në det.

Top Channel