Nderimet për Ratko Mlladiç, zyrtarja e lartë e BE anulon vizitën në Serbi Një nga simbolet më të njohura të ish-Gjermanisë Lindore është futur në qendër të fushatës politike.
Skuterët e vjetër Sipson, dikur simbol i lirisë së të rinjve në Gjermaninë Lindore, janë shndërruar në një nga imazhet e fushatës së së djathtës radikale AfD. Ulrich Siegmund, kandidati kryesor i AfD-së dhe favorit në zgjedhjet e së dielës në Saksoni-Anhalt, është shfaqur vazhdimisht mbi këto motorë, madje ka udhëhequr edhe parada me qindra drejtues Simsonësh.
Strategjia synon të prekë të ashtuquajturën “Ostalgie”, nostalgjinë për jetën në ish-Republikën Demokratike Gjermane dhe pakënaqësinë që ende ekziston në disa zona lindore për pasojat e ribashkimit të Gjermanisë.
Por përdorimi politik i markës ka shkaktuar reagimin e familjes që e krijoi atë. Dennis Baum, pasardhës i themeluesve të Simson dhe banues në Nju Jork, deklaroi se familja e tij kundërshton fuqishëm politizimin e emrit. “Ne nuk duam që emri Simpson të politizohet”, tha ai, duke shtuar se familja refuzon ideologjitë ekstremiste dhe nuk pranon përvetësimin e markës nga AfD.
Historia e Simson e bën përplasjen edhe më të ndjeshme. Kompania u themelua në shekullin e 19-të nga vëllezërit hebrenj Loeb dhe Moses Simpson në Suhl të Turingisë. Ajo prodhonte armë, biçikleta dhe automjete luksoze.
Pas ardhjes së Hitlerit në pushtet, familja Simson u bë objekt i një fushate antisemitiste. Anëtarët e saj u përndoqën, u burgosën dhe u detyruan nga Gestapo të dorëzonin kompaninë përpara se të largoheshin drejt Shteteve të Bashkuara. Pas Luftës së Dytë Botërore fabrika kaloi nën kontrollin sovjetik dhe më pas u shndërrua në ndërmarrje shtetërore të Gjermanisë Lindore, duke ruajtur emrin Simson.
Sot motorët e saj mbeten veçanërisht të dashur në lindje të Gjermanisë. Modelet e regjistruara para vitit 1992 lejohen të arrijnë deri në 60 kilometra në orë, më shumë se shumica e skuterëve të kësaj kategorie.
Por për familjen Simson, shfaqja e emrit të tyre në fushatën e AfD-së rikthen në vëmendje një histori persekutimi që ata mendonin se i përkiste së shkuarës.
Top Channel