Virusi i Nilit Perëndimor “pushton” Greqinë/ 58 raste të reja brenda një jave, shkon në 24 numri i viktimave, të gjithë mbi 65 vjeç

03/09/2026 14:47

Në Greqi janë regjistruar gjithsej 290 raste të infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor dhe 24 viktima që nga fillimi i periudhës së mbikëqyrjes, sipas të dhënave të fundit të Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik (EODY).

Nga 290 rastet e raportuara, 199 pacientë kanë zhvilluar simptoma që prekin sistemin nervor qendror (SNQ), përfshirë encefalitin, meningjitin ose paralizën akute flacide. Ndërkohë, 91 raste kanë shfaqur simptoma të lehta ose nuk kanë pasur përfshirje të sistemit nervor qendror.

Vetëm gjatë javës së fundit janë diagnostikuar dhe raportuar 58 raste të reja të infektimit të fituar në vend.

Sipas të dhënave deri më 2 shtator 2026, janë regjistruar 24 vdekje si pasojë e infeksionit. Të gjithë personat që kanë humbur jetën ishin mbi 65 vjeç.

Infeksionet nga virusi i Nilit Perëndimor janë regjistruar dhe hetuar në 69 komuna, në 20 njësi rajonale të Greqisë, në rajonet e Atikës, Thesalisë, Maqedonisë Qendrore, Peloponezit, Greqisë Qendrore dhe Kretës.

EODY pret që në periudhën e ardhshme të diagnostikohen raste të tjera, si në zonat ku tashmë janë evidentuar infeksione, ashtu edhe në zona të reja.

Atika, në veçanti, po përjeton një qarkullim jashtëzakonisht intensiv të virusit këtë vit, me një numër më të lartë rastesh krahasuar me vitet e kaluara në disa zona dhe njësi rajonale.

Top Channel