Tragjedi në Francë/ “Këtë meriton”, burri i dërgon video ish-gruas pasi vret dy fëmijët dhe vjehrrën, më pas i merr jetën vetes

03/09/2026 14:53

Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin Gy, në lindje të Francës, ku katër persona janë gjetur të pajetë në një zonë kampingu.

Viktimat janë dy fëmijë të moshës 6 dhe 9 vjeç, babai i tyre 42-vjeçar Jean-Paul Monnot dhe vjehrra e tij, e cila ishte edhe gjyshja e fëmijëve.

Sipas hetimeve paraprake dhe raportimeve të mediave lokale, dyshohet se autori i ngjarjes ka qenë babai i fëmijëve.

Sipas gazetës franceze “L’Est Républicain”, 42-vjeçari dyshohet se ka përdorur një armë zjarri për të vrarë familjarët dhe më pas ka drejtuar armën ndaj vetes.

Raportohet gjithashtu se ai ka filmuar ngjarjen dhe ia ka dërguar videon bashkëshortes së tij, me të cilën ishte në proces ndarjeje. Sipas të njëjtave burime, në mesazhin e dërguar ai kishte shkruar një frazë kërcënuese ndaj saj.

Trupat u gjetën mbrëmjen e 2 shtatorit në një kamping ku familja kishte parkuar mjetet e saj. Njëri prej viktimave u gjet në një furgon, ndërsa tre të tjerët në një kamping.

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie. Çifti ishte në proces divorci dhe, sipas burimeve të cituara nga mediat franceze, po ndërtonte një shtëpi para ndarjes.

Top Channel