Gjermania akuzoi Rusinë për sulmin në aeroport, Moska hakmerret duke mbyllur qendrat e Institutit Goethe
SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po koordinojnë qëndrimin ndaj Iranit, ndërsa Uashingtoni po shton presionin ekonomik ndaj Teheranit dhe Abu Dhabi ka pezulluar tregtinë me Republikën Islamike.
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, zhvilloi një takim sekret në Sardenjë me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Tahnoun bin Zayed al-Nahyan, sipas dy burimeve të cituara nga Axios.
Takimi nuk u njoftua nga Shtëpia e Bardhë dhe u zhvillua në një moment kur administrata Trump po përpiqet të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe të rrisë presionin ekonomik ndaj Iranit.
Emiratet janë një partner i rëndësishëm në përpjekjet për të garantuar kalimin e sigurt të tankerëve të naftës përmes Hormuzit.
Emiratet pezullojnë tregtinë me Iranin
Vendimi i Abu Dhabit për të pezulluar transaksionet tregtare dhe financiare me Iranin përbën një goditje të rëndësishme për Teheranin.
Emiratet, veçanërisht Dubai, kanë qenë prej vitesh një qendër e rëndësishme tregtare dhe rieksporti për Iranin. Tregtia mes dy vendeve arriti rreth 28 miliardë dollarë në vitin 2024.
Sipas burimeve, vendimi erdhi kryesisht pas sulmeve të Gardës Revolucionare iraniane ndaj tankerëve të lidhur me kompaninë shtetërore të naftës së Emirateve, që përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit.
SHBA kërkon ndërprerjen e tregtisë me Iranin
Administrata Trump po zgjeron paralelisht fushatën e presionit ekonomik ndaj Teheranit. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar masa kundër vendeve, kompanive dhe individëve që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin.
Departamenti i Thesarit ndërmori gjithashtu hapa kundër degëve në Emirate të një banke egjiptiane, për shkak të transaksioneve me Iranin. Banka Qendrore e Emirateve njoftoi se do të kryejë një rishikim urgjent të këtyre transaksioneve.
Ndërkohë, ambasadat amerikane janë udhëzuar t’u kërkojnë qeverive të tjera të ndërpresin tregtinë me Iranin dhe të identifikojnë aktivitetet që Uashingtoni i konsideron të paligjshme.
Shtetet dhe kompanitë që vazhdojnë të tregtojnë me Iranin rrezikojnë sanksione amerikane dhe kufizime në aksesin në sistemin financiar të dollarit.
Administrata Trump po përgatit një grup pune ndërinstitucional për të koordinuar zbatimin e fushatës së presionit ekonomik ndaj Iranit. Në këtë kuadër, takimi sekret në Sardenjë mes Witkoff dhe zyrtarit të lartë të Emirateve shihet si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të bashkërenduar me aleatët presionin ekonomik dhe masat për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Top Channel