Barcelona ka vendosur një rekord historik financiar. Për sezonin 2025/26, klubi katalanas ka kaluar për herë të parë pragun e 1 miliard eurove në të ardhura, duke konfirmuar fuqinë e markës Barça.

Por pas shifrës rekord fshihet një realitet më kompleks: klubi vazhdon të mbajë miliarda euro borxhe.

Bordi drejtues i Barcelonës ka konfirmuar se Asambleja e Përgjithshme do të zhvillohet më 19 shtator 2026, ku do të prezantohen edhe rezultatet financiare të sezonit. Buxheti i 2025/26 parashikonte rreth 1.075 miliardë euro të ardhura, duke e bërë këtë sezonin e parë në historinë e klubit që kalon zyrtarisht kufirin e 1 miliard eurove. Rritja vjen pas një tjetër sezoni pozitiv. Në 2024/25, Barcelona regjistroi rreth 994 milionë euro të ardhura operative, rreth 100 milionë më shumë se një vit më parë.

Camp Nou sjell shpresën e madhe

Një nga elementët më të rëndësishëm është se ky rekord u arrit në një periudhë kur Barcelona nuk e shfrytëzoi ende në maksimum stadiumin e saj. Për rreth 900 ditë, klubi luajti në Estadi Olímpic Lluís Companys, ndërsa Camp Nou ishte në rinovim. Barcelona u rikthye në stadiumin historik më 22 nëntor 2025, në fitoren 4-0 ndaj Athletic Bilbaos.

Rikthimi i plotë i Spotify Camp Nou, me një kapacitet të planifikuar rreth 105 mijë vende, pritet të rrisë ndjeshëm të ardhurat nga biletat, zonat VIP dhe aktivitetet komerciale. Vetëm rihapja e hershme e stadiumit ishte parashikuar të sillte rreth 50 milionë euro shtesë. Edhe sektori komercial ka dhënë një kontribut të madh. Të ardhurat nga merchandising-u pritej t’i afroheshin 200 milionë eurove, ndërsa sponsorizimet dhe aktiviteti i BLM kanë shënuar rritje.

1 miliard të ardhura, por miliarda borxhe

Pavarësisht rekordit, Barcelona nuk është ende financiarisht e çliruar. Borxhi operacional është ulur në rreth 469 milionë euro, 90 milionë më pak se një vit më parë. Ndërkohë, borxhi total i klubit vlerësohet në rreth 1.958 miliardë euro. Nëse llogaritet edhe financimi prej rreth 1.5 miliardë eurosh për Espai Barça, detyrimet e kombinuara mund të afrohen deri në 3.5 miliardë euro, sipas vlerësimeve të ekonomistit Marc Ciria.

Barcelona ka gjithashtu rreth 159 milionë euro detyrime ndaj klubeve të tjera për transferime, një pjesë e konsiderueshme e të cilave duhet të shlyhet brenda vitit të ardhshëm. Kjo shpjegon edhe pse kalimi i pragut të 1 miliard eurove nuk do të thotë se klubi ka 1 miliard euro të disponueshme për transferime.

Nga kriza e Messit te rikuperimi

Situata është shumë më ndryshe nga ajo e vitit 2021. Në atë periudhë, Laporta deklaronte se borxhi kishte arritur në rreth 1.35 miliardë euro, ndërsa pagat përbënin rreth 103% të të ardhurave. Kriza financiare ishte një nga arsyet kryesore që Barcelona nuk mundi të mbante Lionel Messin. Klubi përdori më pas edhe të ashtuquajturat “leva financiare”, duke monetizuar një pjesë të të ardhurave të ardhshme për të siguruar likuiditet.

Sot, raporti i pagave ndaj të ardhurave është ulur në rreth 54%, një përmirësim i madh financiar. Barcelona parashikon gjithashtu një fitim neto modest prej rreth 4 milionë eurosh për sezonin 2025/26. Pra, paradoksi mbetet: Barcelona po fiton më shumë se kurrë, por ende nuk është financiarisht e lirë.

Sipas Deloitte Football Money League 2026, Barcelona ishte e dyta në botë për të ardhurat në sezonin 2024/25, me rreth 975 milionë euro, pas Real Madridit me 1.161 miliardë euro. Tani, me rikthimin e plotë të Camp Nou dhe rritjen e të ardhurave komerciale, katalanasit synojnë të forcojnë edhe më shumë pozicionin e tyre mes gjigantëve ekonomikë të futbollit botëror.

 

Top Channel