Deri përpara 10 vitesh vetëm 2 transferime në merkato kishin kaluar kufrimin e 100 milionë eurove. Në vitin 2013, transferimi i Gareth Bale te Reali i Madridit ishte blerja e parë që kaloi vlerën me 9 shifra. Tre vjet më vonë, të njëjtën shifër derdhi Manchester United në arkat e Juventusit për Paul Pogba; në të dy rastet protagonistë u bënë klube të Premier League.

Aktualisht goditje të tilla në merkaton e transferimeve për kampionatin anglez janë në rend të ditës dhe sesioni i kësaj vere që sapo u mbyll e vërteton më së miri këtë. Klubi kampion në këtë sesion është Manchester City me 526 milionë euro të shpenzuara. I fundit në listën e blerjeve të Citizens është pikërisht Enzo Fernandez për shifrën e 145.9 milionë eurove. Por argjentinasi nuk është i vetmi mesfushor që është vënë nën urdhrat e Enzo Maresca për një shifër të ngjashme. Në fillim erdhi Elliot Anderson nga Nottingham Forest për 135.4 milionë euro dhe më pas Ayyoub Bouaddi, që u largua nga Lille për 95 milionë euro plus 5 milionë në formën e bonuseve.

Nuk mbetet më pas në këtë pikë as Chelsea që siguroi shërbimin e Morgan Rogers nga Aston Villa për 136.5 milionë euro, ndërkohë që pak kilometra, në veri të Londrës ishte Tottenham që bëri shpenzime marramendëse për të cilin lojtari më i kushtueshëm rezultoi Sandro Tonali për të cilin u paguan 115 milionë euro duke përfshirë edhe bonuset. Ndërsa për Savinhon dhe Mateus Fernandes janë 99 milionë euro secili.

Futbollisti i gjashtë 100 milionësh është Bradley Barcola, blerja më e re e Liverpool. Skuadra e The Reds derdhën në arkat e Paris Saint Germainit për futbollistin francez plot 143.5 milionë euro duke përfshirë bonuset. Por në këtë merkato transferimesh kanë rënë në sy edhe lëvizje të tilla si ajo e Bruno Guimaraes te Arsenali dhe Balebas te Manchester United edhe pse këto lëvizje nuk e arrijnë kufirin e 100 milionë eurove

Top Channel