Ndalimi i telefonave gjatë proceseve gjyqësore, avokatët kundër rregullores së re të GJKKO-së: S’mund të kufizojë një të drejtë kushtetuese
Pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) për hyrjen në fuqi të Rregullores së re të GJKKO-së, ka reaguar edhe rrjeti rajonal SafeJournalists, i cili shpreh shqetësim për disa prej dispozitave që lidhen me aksesin dhe punën e medias në gjykatë.
SafeJournalists kërkon rishikimin e rregullave, duke argumentuar se kufizimi i përdorimit të telefonave dhe pajisjeve elektronike, procedurat e akreditimit dhe kërkesat paraprake për ndjekjen e seancave mund të vështirësojnë punën e gazetarëve dhe të kufizojnë të drejtën e publikut për t’u informuar.
Rrjeti i bën thirrje GJKKO-së të rishikojë dispozitat përmes konsultimit me gazetarët, organizatat e medias dhe ekspertët ligjorë.
“Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për disa nga dispozitat që lidhen me median në Rregulloren e re të Brendshme të miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Rrjeti njeh përgjegjësinë e Gjykatës së Posaçme për të garantuar sigurinë, për të mbrojtur të gjithë pjesëmarrësit në proces, për të ruajtur integritetin e procesit gjyqësor dhe për të siguruar administrimin e rregullt të drejtësisë. Ai gjithashtu vlerëson garancitë e parashikuara në rregullore për të nxitur transparencën, trajtimin e barabartë dhe vendimmarrjen e arsyetuar.
Në të njëjtën kohë, efekti i kombinuar i disa dispozitave rrezikon të kufizojë aftësinë e gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt proceset gjyqësore, për të mbajtur shënime të sakta, për të komunikuar me redaksitë e tyre dhe për të raportuar në kohë për çështje me interes të jashtëzakonshëm publik.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Gjykatës së Posaçme të pezullojnë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara që lidhen me median dhe të ndërmarrin një rishikim të fokusuar përmes konsultimit kuptimplotë me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile“, shkruan ndër të tjera Safe Journalist.
Top Channel