Hyn në fuqi rregullorja e re e GJKKO-së për kufizimin e celularëve në seanca, reagon Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Do ta atakojmë me të gjitha mjetet

01/09/2026 11:52

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas hyrjes në fuqi, nga sot, 1 shtator, të Rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

AGSH shpreh keqardhje dhe zhgënjim, duke theksuar se rregullorja u miratua pavarësisht shqetësimeve të ngritura më herët nga gazetarët dhe organizatat e medias, veçanërisht për kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.

Në reagimin e saj, AGSH vlerëson nevojën për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por thekson se kjo duhet të harmonizohet me të drejtën e gazetarëve për të raportuar dhe të publikut për t’u informuar. Asociacioni deklaron se do të vijojë dialogun, por paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet për ta kundërshtuar vendimin.

Reagim i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin që, prej sot, 1 shtator, ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias.

AGSH kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të Rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve, përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.

Ne vlerësojmë rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por besojmë se ky objektiv mund dhe duhet të harmonizohet me të drejtën e medias për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t’u informuar.

Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim.

Top Channel