Nga kjo e martë hyri në fuqi rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme, e cila i trajton transparencën dhe punonjësit e medias të rrezikshëm.
Përveç kontrollit të imtësishëm, punonjësit e medias do t’i nënshtrohen bllokimit të telefonit, aplikimit të rotacionit për të aksesuar gjyqet publike që në shkelje të kompetencave të trupave gjyqësore do të vendoset nga kryetari i gjykatës.
Dhe ç’është më e rëndësishme, gazetarët përveç formularëve që duhet t’i plotësojnë sipas urdhrit të mëhershëm KLGJ për të ndjekur gjyqet të cilat janë të hapura, ata duhet të plotësojnë edhe formularë akreditimi ku duhet përveç dokumentit të identifikimit të dorëzojnë të dhëna personale dhe vërtetime mes tyre edhe nga punëdhënësi.
Reagimi ka qenë i menjëhershëm edhe nga organizatat e huaja për këtë qasje që e konsideron median si kundërshtar, kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë ngriti shqetësimin e cënimit të pushtetit të katërt dhe mbi këtë argument njoftoi se do t’i drejtohen me padi gjykatës.
Nuk mbeten pas edhe avokatët që dorëzuan kërkesën për rishikim të rregullores në një kohë që komiteti drejtues do të vendosë më tej për përshkallëzim të reagimeve deri në bojkot mbasi në rregullore preken edhe mbrojtësit.
Gjatë ditës gjykata ka njoftuar se do t’i bëjë reagimet në një grup tjetër Whatsapp.
Sipas njoftimit grupi aktual i Whatsapp do të mbyllet dhe to të rihapet një i ri, në të cilin për çdo zhvillim të gjykatës do të qëndrojnë të përditësuar vetëm gazetarët që akreditohen. Dhe që të akreditohesh duhen shkresa sikur po aplikon për në ambasadë, të të kundërt drejtësia t’i mbyll dyert.
Top Channel