Gabriel Jesus është zyrtarisht futbollist i Barcelonës. Klubi katalanas ka zyrtarizuar këtë të martë transferimin e sulmuesit brazilian, i cili ka firmosur kontratë për tre sezonet e ardhshme, deri në vitin 2029.

Barcelona ka arritur marrëveshje me Arsenalin për transferimin e 29-vjeçarit, në një operacion që raportohet se kap vlerën e 10 milionë eurove.

Sulmuesi kishte mbërritur një ditë më parë në Barcelonë, ku iu nënshtrua testeve mjekësore dhe më pas ndoqi nga afër fitoren e thellë të skuadrës së tij të re ndaj Rayo Vallecano, nga tribuna VIP e “Spotify Camp Nou”.

Gabriel Jesus mbërriti rreth orës 13:45 në ambientet e klubit, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij. Më pas ai u takua me presidentin Joan Laporta, me të cilin firmosi kontratën që e bën zyrtarisht pjesë të Barcelonës. Në ceremoninë e firmosjes ishin të pranishëm edhe zëvendëspresidenti Rafa Yuste, drejtori sportiv Deco dhe Bojan Krkić, së bashku me përfaqësuesit e lojtarit.

Gabriel Jesus bëhet kështu një tjetër përforcim për repartin ofensiv të Barcelonës. Klubi katalanas iu drejtua brazilianit pasi dështoi të bindte Atlético Madridin për të negociuar transferimin e Julián Álvarez.

Trajneri Hansi Flick e ka mirëpritur afrimin e sulmuesit brazilian, duke e cilësuar atë si “një sulmues të nivelit të lartë” dhe duke theksuar se ai do të ketë një rol të rëndësishëm në skuadër.

Pavarësisht se dy sezonet e fundit janë karakterizuar nga probleme të vazhdueshme me dëmtimet, Gabriel Jesus mbërrin në Barcelonë me ambicien për të rikthyer formën e tij më të mirë. Vetë lojtari ka deklaruar pas mbërritjes në qytetin katalanas se ndihet “perfekt”.

Me këtë transferim, Barcelona siguron një sulmues me eksperiencë ndërkombëtare, me një kosto relativisht të përballueshme, ndërsa njëkohësisht plotëson një nga boshllëqet e skuadrës në pozicionin e qendërsulmuesit.

Top Channel