Rafa Leão është zyrtarisht lojtari më i ri i Galatasarayt, në një transferim që vjen me shifra marramendëse dhe që e vendos portugezin në mesin e futbollistëve më të paguar në Turqi.
Klubi turk do t’i paguajë Milanit 38 milionë euro për kartonin e Leãos, ndërsa vetë sulmuesi do të përfitojë një pagë prej 10 milionë eurosh neto në sezon, për një kontratë 4-vjeçare. Kjo do të thotë se vetëm nga paga, Leão do të arkëtojë 40 milionë euro neto gjatë katër viteve në Stamboll.
Nëse i bashkojmë edhe shumën e transferimit, operacioni shkon në 78 milionë euro në katër vitet e para, pa llogaritur bonuset apo të ardhurat e tjera. Por marrëveshja ka edhe një detaj interesant: Milani do të përfitojë 20% të fitimit nga një shitje e ardhshme e Leãos. Pra, kuqezinjtë nuk e mbyllin plotësisht historinë me portugezin dhe mund të përfitojnë sërish financiarisht nëse Galatasaray e shet atë më shtrenjtë në të ardhmen.
Leão, nga ana tjetër, bëhet një nga emrat më të mëdhenj që zbarkon në futbollin turk, ndërsa Galatasaray tregon edhe një herë ambiciet për të ndërtuar një skuadër me yje të nivelit europian. 38 milionë euro për Milanin. 40 milionë euro pagë për Leão. Dhe 20% e fitimit të ardhshëm sërish për Milanin. Një transferim që në total mund të rezultojë edhe më i madh se shifrat fillestare.
Top Channel