UEFA këtë të shtunë zbuloi kalendarin e kompeticioneve të saj. Pas Ligës së Kampioneve, iu erdhi radha skuadrave të Europa League që të mësojnë rrugëtimin e tyre në Fazën e Ligës së këtij kompeticioni. Gjithçka do të nisë në 16 dhe 17 shtator me skuadrat pjesëmarrëse që do të zhvillojnë nga 8 ndeshje 4 në shtëpi dhe 4 në transfertë deri në përfundim të kësaj faze që do të jetë në 28 janar të 2027.

Milan dhe Juventusi janë skuadrat që tërheqin më shumë vëmendjen, por në këtë kompeticion ka edhe shumë skuadra të tjera që do të tentojnë triumfin final sic është Bayer Leverkusen finaliste në sezonin 2023/24 apo Sunderlandi i Granit Xhakës.

Në sfidat e 16 shtatorit të vlefshme për javën e parë spikat sfida mes Milanit dhe Benfica në San Siro, ndërkohë që Leverkusen do të presë Celjen. Interesante duket të jetë edhe përballja mes Anderlechtit e Lyon apo ajo mes Sunderlandit dhe Alkmaar. Në 17 shtator do t’i takojë Juventusit që të zbresë në fushën e lojës teksa do të presë N.E.C, por sfida më interesante e kësaj dite është ajo që do të luhet në Stamboll mes Besiktas dhe Olympique Marseille. Finalistja e vitit të kaluar në Conference Leagu, Crystal Palace do ta nisë me Lech Poznan, por mjaft interes ngjall edhe përballja mes Real Sociedad dhe Bournemouth.

Në javën e dytë spikat dueli franko-anglez me Lyon dhe Crystal Palace, Milani do të udhëtojë drejt Austrisë për sfidën me Salzburg. Në transfertë do të luajë edhe Juventus në këtë javë të dytë me bardhezinjtë që i pret sfida e Spanjës me Celtan, Dinamo e Zagrebit e Arbër Hoxhës do të presë Anderlechtin, ndërsa Lech Poznan do të luajë në shtëpi me Bayer Leverkusen. Java e dytë ka parashikuar edhe duelin turko-gjerman mes Besiktasit dhe Hoffenheimit.

Në raundin e tretë Juventus do të presë francezët e Rennes, Leverkusen do të luajë në Kretë me OFI, ndërsa Milani do të përballet me Bournemouth në Angli. Dinamo e Zagrebit do të luajë me N.E.C në shtëpi, kurse Marseille e pret sfida me Sturm Graz në fushën e këtij të fundit.

Java e katërt ka në program sfidën mes Milanit dhe Ferencvaros, Spartës së Pragës dhe Bournemouth dhe Crysal Palace e Hoffenheim. Juventusi do të shkojë në Holandë për ndeshjen me Alkmaar, ndërkohë që vëmendja më e madhe e kësaj jave do të jetë në BayArena në sfidën mes Bayer Leverkusen dhe Marseille. Po kështu sfidë interesante është edhe ajo mes Sunderlandit dhe Dinamos së Zagrebit. Në raundin e pestë, Milani do të udhëtojë drejt Athinës për sfidën me Olympiacos, Juventus do të presë Omonian, Dinamo Zagreb do të luajë me Bayer Leverkusen, ndërsa Crystal Palace do të presë Real Sociedad.

Raundi i gjashtë ka vënë përballe Milanin me Sunderland në San Siro, Marseille do të prese Celta Vigon, Bayer Leverkusen do të përballet me Besiktasin, ndërsa Juventusi do të luajë në transfertë me Hapoel Beer Sheva. Java e 7 e vë Juventusin përballë Ferencvaros në Hungari, Milanin që do të luajë në Bullgari me Levsi Sofje, Celtic me Marseille në Skoci apo sfidën Leverkusen-Salzburg. Fazën e Ligës, Milani do ta mbyllë me Ararat-Armenia në shtëpi, Juventusi me Real Sociedad, ndërsa Marseille me Anderlecht.

Tashmë Europa League, kompeticioni i dytë për nga rëndësia në Evropë ka marrë formë dhe emocionet e të gjitha ndeshjeve të tij do të mund t’i përjetojmë në platformën Digitalb.

Top Channel