Numri i studentëve në degën e Agronomisë dhe Ekonomisë Bujqësore në UBT edhe këtë vit akademik do të jetë më i ulët se ai që lamë pas.
E ndërsa të rinjtë po refuzojnë të bëhen specialistë bimësh e toke, regjistrimet e fazës së parë kanë treguar interes të shtuar për Fakultetin e Pyjeve dhe degët e teknologjisë.
“Rënia më e madhe është tek disa degë të Fakultetit të Ekonomisë dhe tek të gjitha të tjerat, por shohim një tjetër realitet, siç është IT në Bujqësi apo Arkitektura, Planifikimi i Territorit që kanë një rritje të numrit të aplikimeve. Kjo do të thotë që pak a shumë numri i aplikimeve ka ndjekur të njëjtin trend”, tha rektori i UBT-së, Fatbardh Sallku.
Ndërsa maturantët me mesataren më të lartë që do të zgjedhin programet e Shkencave Bujqësore dhe Inxhinierisë Pyjore, për çdo muaj nga qeveria shqiptare do të marrin një mbështetje financiare që kap vlerën e 50 mijë lekëve të reja.
“Programi i Shkencave Bujqësore dhe Sigurimi Ushqimor, si dhe Inxhinieri Pyjore, përsëri çdo maturant që do t’i drejtohet e do të zgjedhë këto programe, ai jo vetëm që nuk do të paguajë, por nga ana tjetër ne do ta paguajmë atë me një vlerë saç është paga minimale që është rreth 50 mijë lekë. Por edhe kushtet e akomodimit janë më të lirat, 50 mijë lekë të vjetra në muaj, pasi UBT është i vetmi që ka kampus”, tha rektori i UBT-së, Fatbardh Sallku.
Por thirrja e rektorit të UBT-së, Fatbardh Sallku, shkon përtej pagesës apo strehimit, ai thotë se çdo i ri duhet të zgjedhë UBT, pasi reforma e re akademike sipas modelit BOKU të Vjenës nuk të jep një diplomë, por një profesion që kërkon tregu.
“Por unë nuk do të doja që të rinjtë shqiptarë ta zgjidhnin UBT vetëm sepse paguhet, por sepse oferta akademike që paraqet UBT është më e mira në treg. Pasi 12 programet bachelor janë 12 programe që përkthehen në profesione”, tha rektori i UBT-së, Fatbardh Sallku.
Universitetet Publike prej vitesh po përballen me rënie të numrit të studentëve, kjo e ndikuar nga disa faktorë që fillon me uljen e lindjeve, e më pas vazhdon me të drejtën e tyre për t’u arsimuar jashtë Shqipërisë apo në një universitet privat.
Top Channel