Ndërtimi në Shqipëri vijon të marrë më shumë leje, por vlera e projekteve tregon një tjetër histori. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë miratuar 782 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 610 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rreth 28% më shumë.
Edhe sipërfaqja e parashikuar është rritur. Në total afro 684 mijë metra katrorë, rreth 11% më shumë se një vit më parë, duke treguar se aktiviteti i ndërtimit mbetet i lartë.
Por nëse ndalemi në tremujorë, shifrat ndryshojnë. Vetëm në tremujorin e dytë, numri i lejeve u rrit me 30.7%, ndërsa vlera e përafërt e projekteve të miratuara ra me 13.2%, në 16 miliardë lekë. Një trend që tregon më shumë projekte në numër dhe sipërfaqe, por me vlerë mesatare më të ulët. Në tremujorin e dytë u dhanë 460 leje nga 352 një vit më parë. Pjesën më të madhe e zënë banesat, me 331 leje, ndërsa ndërtesat jo-rezidente, ku përfshihen hotelet, tregtia dhe industria, morën 129 leje.
Dhe në gjashtë muaj banimi mbetet motori kryesor. Vetëm në tremujorin e dytë, projektet rezidenciale përbënin mbi 183 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Por kjo do të thotë se sektori nuk po ngadalësohet në numër projektesh. Por të dhënat sugjerojnë një zhvendosje drejt më shumë lejeve dhe sipërfaqeve, pa të njëjtën rritje të vlerës së investimeve.
INSTAT thekson gjithashtu se të dhënat e tremujorit të dytë janë paraprake dhe bazohen në raportimet e bashkive, ndërsa në shifra nuk përfshihen lejet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport. Këto leje nuk raportohen në statistikat zyrtare, duke krijuar mungesë transparence.
Top Channel