Ethet e Nilit përhapen shpejt, Greqia raporton 232 raste dhe 19 viktima, Shqipëria vetëm një të infektuar

28/08/2026 15:27

Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen shpejt në Greqi. Madje, siç raporton Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik, 75 raste të reja janë diagnostikuar brenda një jave, duke e çuar numrin e të prekurve në 232.

Po kështu është rritur numri i vdekjeve. Greqia raporton 19 humbje jete deri më tani, të moshës 65 vjeç e lart. Nga të gjithë pacientët e prekur, 165 prej tyre kanë shfaqur simptoma që lidhen me sistemin nervor qendror, si encefalit, meningit apo paraliza akute, ndërsa 67 të tjerë kanë shfaqur simptoma të lehta.

Po kështu, në Itali raportohen 432 raste të infektuar me Ethet e Nilit Perëndimor dhe 17 humbje jete. Maqedonia e Veriut ka pasur 51 persona të infektuar me këtë virus dhe 6 humbje jete.

Të paktën këto janë të dhënat më të fundit të autoriteteve shëndetësore kombëtare të këtyre vendeve, të cilët raportojnë çdo javë pranë ECDC, Qendrës Evropiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve. Gjë të cilën e bën edhe Shqipëria, si një vend që aderon për në BE.

Por aktualisht Shqipëria ka diagnostikuar dhe raportuar vetëm një rast me Ethet e Nilit. Ai është 72-vjeçari nga Korça, i cili vijon të trajtohet në Spitalin Rajonal të këtij qarku.

Kjo sëmundje nuk prek vetëm njerëzit, por edhe kafshët. Në Greqi kanë konstatuar shenjat e qarkullimit të kësaj sëmundjeje edhe tek kuajt dhe kafshë të tjera njëthundrake.

Por tek kafshët nuk ka pasoja si tek njerëzit, ku në shumë raste kalon pa simptoma, por në 20% të rasteve të infektuara shkakton forma të rënda të sëmundjes, deri në humbje jete.

Top Channel