“Çdo shtet i Ballkanit Perëndimor do të ecë drejt BE-së sipas meritave”/ Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi përfituan më shumë fonde sepse kanë kryer detyrat
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një afat të mundshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo u shpreh se, nëse reformat japin rezultatet e kërkuara dhe vendet anëtare japin miratimin e tyre, Shqipëria mund të jetë shumë pranë përmbylljes së procesit vitin e ardhshëm, ndërsa Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028.
E pyetur nga gazetarët nëse ekziston një datë konkrete për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Komisionerja Marta Kos sqaroi se gjithçka varet nga përmbushja e reformave dhe dakordësia e vendeve anëtare.
“Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë se Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt nëse do të ketë rezultate të reformave dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën jeshile. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, në këtë kohë, mund të jemi shumë afër. Nëse gjithçka ecën siç duhet, mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Pra, Shqipëria mund të bëhet vend anëtar deri në vitin 2030”, deklaroi Kos.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u pyet se përse Shqipëria ende nuk është bërë pjesë e Bashkimit Europian, pavarësisht progresit të bërë në procesin e integrimit. Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se anëtarësimi në BE nuk është një proces me një datë të paracaktuar, pasi kërkon dakordësinë e të 27 vendeve anëtare në çdo fazë.
“Anëtarësimi në BE nuk është si një anëtarësim me një datë të përcaktuar, ku ti shkon në shkollë, mbaron gjimnazin, hyn në universitet dhe merr diplomën. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë asnjëherë dhe nuk ka pasur ndonjëherë për askënd, sepse, nga njëra anë je ti dhe nga ana tjetër janë 27 të tjerë, që duhet të bien të gjithë dakord në çdo fazë të procesit”, u shpreh Rama.
Kryeministri kujtoi gjithashtu periudhën që e cilësoi si “tre vitet e poshtërimit”, kur sipas tij, Komisioni Europian certifikonte përmbushjen e detyrave nga Shqipëria, por një prej shteteve anëtare kundërshtonte avancimin e procesit.
Rama e cilësoi perspektivën europiane si një mundësi unike për modernizimin e vendit dhe transformimin e institucioneve.
“Ky është një proces, për sa na takon, që duhet të shihet si një mundësi unikale, e artë, një bekim për ne dhe për çdo vend që ka perspektivën europiane, për të nxjerrë më të mirën e vetes dhe për të ndryshuar shtetin që ne nuk e ndërtuam dot në 500 vjet dhe që sot po e bëjmë”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveçse të vijojë procesin e integrimit dhe të përmbushë të gjitha detyrimet.
“Nuk kemi asnjë alternativë tjetër veçse të vazhdojmë dhe të përmirësojmë gjithçka që lidhet me detyrat”, tha Rama.
Duke iu referuar ecurisë së vendeve të tjera të rajonit, kryeministri përmendi Maqedoninë e Veriut, e cila ka 20 vite që ka marrë statusin e vendit kandidat, si dhe ndryshimet në pozicionin e Shqipërisë kundrejt Serbisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit.
“Mos harroni se Maqedonia e Veriut ka 20 vjet që është vend kandidat, shumë vite para nesh, dhe ja ku është mbrapa nesh sot. Kur ne e nisëm këtë rrugë, ishim të fundit dhe na thuhej se në pararojë ishin Serbia dhe Mali i Zi. Sot Mali i Zi është shumë afër, ndërsa Serbia është shumë pas nesh”, u shpreh Rama.
Në përfundim, ai nënvizoi se procesi i integrimit është dinamik dhe se përcaktimi i datave duhet parë si objektiv, jo si një afat i garantuar, pasi vendimmarrja varet nga dakordësia e të gjitha vendeve anëtare.
“Datat mund të vendosen si objektiva, por mund të lëvizin, sepse janë 27 vende që duhet të bien dakord në çdo hap. Nëse ne i kemi hapur të gjithë kapitujt në një kohë rekord në historinë e integrimit, gjë që është unike, kjo ka ardhur si pasojë e faktit që ne kemi bërë detyrën, por edhe sepse 27 vendet kanë thënë se po, po bëhen detyrat. Ne jemi krah për krah me Komisionin Europian”, përfundoi Rama.
Top Channel