Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare akademiku Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare.
Akademia e Shkencave shprehet se me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve.
Njoftimi i Akademisë së Shkencave:
Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot më 27 gusht 2026 u nda nga jeta akademik emeritus Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë dhe një nga zërat më të spikatur të studimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm pasurinë e jashtëzakonshme të traditave, besimeve, miteve, zakoneve dhe mënyrave të jetës së popullit shqiptar.
Akademik Mark Tirta lindi më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.
Prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore, ai mori statusin Akademik Emeritus.
Akad. Mark Tirta ishte një prej studiuesve që e njohu kulturën shqiptare jo vetëm përmes burimeve të shkruara, por edhe përmes kërkimit të drejtpërdrejtë në terren. Ai mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.
Puna e tij kërkimore ishte e shumëanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe.
Trashëgimia e tij bibliografike është e jashtëzakonshme. Ai la pas një trashëgimi të gjerë studimore. Ka botuar mbi 300 punime shkencore e kulturore, ka marrë pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 42 punime të tij janë botuar në gjuhë të huaja.
Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Mitologjia ndër shqiptarë” 2004, “Etnologjia e shqiptarëve”2003, 2006, “Etnologjia e përgjithshme” 2001, 2008, “Migrime të shqiptarëve” 1999, “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” 2006, “Panteoni e simbolika, doke e kode…” 2007 dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” 2013.
Në historinë e studimeve shqiptare, akademik Mark Tirta do të kujtohet si një prej dijetarëve që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare. Ai e pa etnologjinë jo vetëm si një fushë të mbledhjes dhe përshkrimit të fakteve, por si një mënyrë për të kuptuar historinë, kujtesën, identitetin dhe vazhdimësinë kulturore të shqiptarëve. Përmes punës së tij, shumë dëshmi të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare u dokumentuan dhe u bënë pjesë e kujtesës së shkruar shkencore.
Librat, studimet dhe materialet që la pas përbëjnë një pasuri të çmuar për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm të etnologjisë, antropologjisë, folklorit, historisë së kulturës dhe albanologjisë.
Me ndarjen e tij nga jeta, Akademia e Shkencave e Shqipërisë humbet një nga figurat e saj të shquara, ndërsa shkenca shqiptare humbet një studiues që i kushtoi gjithë jetën njohjes së rrënjëve kulturore të shqiptarëve.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje të rëndë.
I paharruar kujtimi i Akademik Emeritus Mark Tirta!
Top Channel