Bursa për çmimet bujqësore, qeveria synon transparencë dhe ulje çmimesh

26/08/2026 12:11

Në takimin 9-orësh me ministrat, kryeministri Edi Rama ka kërkuar ngritjen e Bursës Bujqësore, një mekanizëm përmes të cilit shteti nuk do të përcaktojë çmimet e produkteve të shportës, por synon t’i bëjë ato më transparente.

Në mandatin e tij të tretë, kreu i qeverisë, Edi Rama, së bashku me ministren e atëhershme të Bujqësisë, Frida Krifca, prezantuan Portalin e Fermerit, si një platformë informacioni ku fermerët mund të mësonin çmimet e shumicës dhe pakicës së produkteve bujqësore.

Por shifrat e publikuara në portal jo gjithmonë korrespondonin me vlerat reale në treg.

Kjo ishte edhe një nga arsyet përse portali nuk u përqafua gjerësisht nga fermerët.

Ekspertët e ekonomisë thonë se Bursa Bujqësore, ndryshe nga Portali i Fermerit, mund të funksionojë, por angazhimi i vetëm i Ministrisë së Bujqësisë është i pamjaftueshëm.

“E para fare është mbikëqyrja financiare nga një autoritet financiar. Pra, do të duhet një autoritet që të garantojë të gjithë vërtetësinë e transaksioneve bankare. E dyta, duhet një vëllim tregtimi”, shprehet Enio Civici, ekspert ekonomie.

Me ngritjen e Bursës Bujqësore, grosistët pritet t’u përshtaten rregullave të reja. Pasi formalizimi i tregut do të ulë fitimin e grosistëve dhe çmimet e produkteve.

“Është një ide e mirë dhe në shumë vende praktikohet, si Greqia, Turqia dhe mbi të gjitha mund të japë një efekt zbritës në çmimet e produkteve”, thotë Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Në çdo sezon bujqësor, fermerët denoncojnë abuzimin që pikat e grumbullimit bëjnë me prodhimin e tyre, duke kërkuar që ta blejnë me një çmim që nuk mbulon as kostot e prodhimit. Për këtë arsye, shumë herë produkti, në vend të tregut, përfundon në kanal.

Top Channel