Debutimi i ëndrrave për Ferran Torres te PSG, spanjolli shënon dopietë ndaj Rennes. 50 milionë eurot nisin të justifikohen

24/08/2026 07:33

Ferran Torres e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Paris Saint-Germain. Sulmuesi spanjoll debutoi me fanellën e kampionëve të Francës dhe u shndërrua në protagonist, duke shënuar dy gola në përballjen ndaj Rennes.

Torres u aktivizua në pjesën e dytë nga trajneri Luis Enrique, në një moment kur PSG po kalonte një situatë të vështirë. Parizienët e mbyllën pjesën e parë në disavantazh të dyfishtë, ndërsa Torres hyri në fushë në vend të Ousmane Dembélés.

Fillimisht, spanjolli u pozicionua në krahun e djathtë, por gjatë ndeshjes ndërroi vazhdimisht pozicion me Doué. Më pas, Luis Enrique e vendosi në qendër të sulmit dhe aty erdhi shpërthimi i Torresit.

Në minutën e 71-të, Ferran Torres shënoi golin e parë me fanellën e PSG-së, pas një aksioni të bukur me bashkëkombësin e tij, Fabián Ruiz. Mesfushori spanjoll i dha një pasim të saktë në thellësi, ndërsa Torres kontrolloi bukur topin dhe mposhti portierin Samba për të ngushtuar diferencën.

Por sulmuesi nuk u mjaftua me kaq. I vendosur tashmë në rolin e “9”-ës, Torres shënoi edhe golin e dytë, duke kompletuar dopietën dhe duke barazuar rezultatin. Edhe këtë herë, kombinimi me Fabián Ruiz ishte vendimtar, teksa Torres u shkëput në zonë dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.

Ky ishte vetëm aktivizimi i dytë i Torresit që nga transferimi te PSG, pasi ai ishte grumbulluar edhe në ndeshjen e Superkupës së Francës, por nuk kishte zbritur në fushë.

Një debutim ëndrrash për Ferran Torres, i cili brenda pak minutash tregoi arsyen pse PSG ka investuar 50 milionë euro për kartonin e tij.

Top Channel