Jose Mourinho nisi etapën e dytë te Reali: Meritonim të fitonim. Vinicius nuk është shenjtor, por ajo që i bëjnë është e tepërt

23/08/2026 11:36

Jose Mourinho nisi mbrëmjen e kësaj të shtune etapën e tij të dytë me Realin e Madridit me Los Blancos që u përballën me Espanyol në Cornella.

Skuadra merenges arriti të marrë 3 pikët pasi e fitoi këtë ndeshje 2-1 vetëm në çastet e fundit dhe ishte një sukses shumë i vuajtur për të. Mourinho u shfaq përpara mediave për të folur për fitoren ndaj Espanyolit

‘Besoj se meritonim të fitonim, por Espanyoli nuk meritonte të humbiste-tha Mourinho-në pjesën e dytë kishim kontrollin dhe ushtruam presion, rrezikuam shumë. Meritonim të fitonim. Por një skuadër që luan si Espanyol, që mbron në këtë mënyre dhe që del në kundërsulm me futbollistë në limite, me një organizim të mirë…Për ta është e vështirë të kthehen në shtëpi duarbosh. Por ne e merituam’.

Kur u pyet për sistemin e lojës së skuadrës së tij, Mourinho vuri theksin te gjendja fizike e futbollistëve

‘Nuk mund të mos merret në konsideratë gjendja fizike e futbollistëve kur flitet për sistemin-vijoi Mourinho-ata nuk patën asnjë lojtar në Botëror dhe prej kohësh po punonin së bashku dhe kjo vihet re te intensiteti. Nuk prisja që Jude Bellingham të luante shumë. Kur bëhet fjalë për të ushtruar presion si më pëlqen mua, na mungojnë minuta dhe kilometra. Për këtë arsye i jap shumë vlerë kësaj fitoreje, është një fitore me shpirt, por edhe e pankinës. Ishte një ndeshje e vështirë, janë 3 pikë shumë të rëndësishme’.

Padyshim që Mourinho foli edhe për Vinicius të cilin e kritikoi shumë ashpër kur ishte në stolin e Benfica pikërisht pas ndeshjes me Los Blancos.

‘Kam rrezikun se ju do ktheheni muaj prapa për të publikuar fjalët që kam thënë për Vinicius kur isha kundërshtar i tij-tha Mourinho-Por tani Vini është futbollisti im. Nuk është shenjtor, por ajo që i bëjnë është e tepërt. Që nga minuta e parë duket se është një format. Tani e godas unë, tani e godet ti, njëri me karton të verdhë, tjetri jo. Është frustrim i madh për të, duhet të ketë shumë kontroll mental. Madje i kam  thënë, nëse shënon bëj kujdes me mënyrën si feston. Jemi në epokën e rrjeteve sociale anti-bullizimit, por me Vinicius jemi ende në epokën e bullizmit’.

Top Channel