Vrasja në Ksamil/ U la në burg pasi tentoi të largojnë me makinë Vatën drejt Tiranës, shtetasi turk në Gjykatë: Më tha jam rrëzuar me motor, kërkoi…

21/08/2026 22:24

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg Sokrat Vatës, i akuzuar për vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, Luis Miguel Varela Mendes.

Po ashtu në burg janë lënë edhe  Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu, dy shtetasit turq që tentuan ta largonin me makinë.

Për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin është vendosur arresti në burg për një afat 45-ditor, raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo.

Ndërkohë, për Luciano Seferin, Moisi Matushajn, Romeo Shehun, Murat Zhabina dhe Kristo Kosho është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Para trupit gjykues shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i njohur me Vatën për shkak të bashkëpunimit në shoqërimin e turistëve, ka deklaruar se Vata e ka telefonuar rreth orës 06:30 dhe i ka kërkuar ta shoqëronte drejt Tiranës, duke i thënë se ishte rrëzuar nga motori, raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat.

Vata ka pretenduar se gjatë konfliktit, njëri prej turistëve kishte një thikë, të cilën ai ia ka marrë pasi e ka neutralizuar. Në këtë moment, sipas dëshmisë së tij, një prej turistëve e ka goditur me shkelm në nofull, duke e rrëzuar në tokë. Ai ka deklaruar se, ndërsa turistët kanë tentuar ta godasin sërish, ka lëvizur dorën instinktivisht për t’u mbrojtur, por nuk kujton se si e ka goditur viktimën.

“Nuk e kujtoj si e kam goditur. Isha në ‘shock’. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga ‘shock’-u jam larguar”, ka deklaruar Vata.

Top Channel