Pas një joshjeje të gjatë, zikaltrit arritën të thyejnë rezistencën e “Reds”: marrëveshje prej 35 milionë eurosh, përfshirë bonuset. Një telenovelë me fund të lumtur.

Interi dhe Curtis Jones do të mund të përqafohen pas një ndjekjeje që zgjati më shumë se gjashtë muaj. Mesfushori anglez kishte përfunduar në radarin e zikaltërve që nga merkatoja e janarit: të enjten, rreth dhjetë ditë nga mbyllja e merkatos së verës, operacioni më në fund u mbyll me sukses për 30 milionë euro plus 5 milionë bonuse. Dje në mbrëmje, Liverpooli pranoi propozimin me shkrim të zikaltërve, duke i dhënë leje lojtarit të datëlindjes 2000 të udhëtonte drejt Milanos, ku mbërriti këtë mbrëmje. Të premten ai do të kryejë vizitat mjekësore para se të hedhë firmën në kontratën e vlefshme deri në vitin 2031, nga e cila do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon. Dorën në zemër dhe fjalët “I’m very happy” (Jam shumë i lumtur), ishin fjalët e tij të para.

Një rol thelbësor në këtë negociatë e pati pikërisht vetë Jones. Që nga janari, anglezi donte vetëm Interin dhe, kohët e fundit, ishte munduar ta ritheksonte këtë në çdo mënyrë: jo vetëm duke refuzuar afrimet nga skuadra të tjera të Premier League, por edhe duke dërguar mesazhe në rrjetet sociale (pëlqime “të fshehta” në shumë postime të profilit të zikaltërve). Në javët e fundit, mesfushori e kishte përjashtuar veten nga miqësoret e “Reds”, zyrtarisht për një problem në ijë, por më realisht për t’i dërguar një mesazh të qartë klubit të tij të deritanishëm.

Një negociatë shumë e ngjashme me atë që solli Djed Spence tek zikaltrit. “Reds”, të cilët deri para disa javësh ishin të palëkundur në kërkesën e tyre prej 40 milionë eurosh, morën operacionin për anësorin e Spurs si një prag nën të cilin nuk mund të zbrisnin. Një shifër që Interi vendosi ta investojë pavarësisht se djaloshit i kishin mbetur vetëm 6 muaj kontratë: Jones është në fakt një kërkesë eksplicite e Cristian Chivu-t. Një shtesë që do të pasurojë më tej një mesfushë tashmë të mbushur me cilësi dhe alternativa, dhe për këtë arsye mund të sjellë largimin e Stankovic.

Top Channel