Reali i Madridit edhe për këtë vit(i treti radhazi) është klubi që ka markën më të vlefshme dhe më të fortë në botë. Sipas raportit të Brand Finance, marka e 15 herë kampionëve të Evropës për vitin 2026 ka një vlerë prej 2.4 miliardë eurosh dhe ka pësuar një rritje me 25% në krahasim me vitin e kaluar.

Menjëherë pas Los Blancos pozicionohet një tjetër gjigant i futbollit spanjoll dhe bëhet fjalë për rivalët e përjetshëm të Realit, Barcelona marka e së cilës ka një vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh. Brand Finance në studimin e tij pasqyron rritjen rekord të biznesit të markave të mëdha të futbollit: 50 markat më të vlefshme arrijnë së bashku në 23.9 miliardë euro, rritja më e madhe vjetore që nga fillimi i hartimit të këtij klasifikimi 15 vjet më parë. Dhjetë klubet e para kanë pothuajse 2/3 e kësaj vlere, me 14.9 miliardë euro.

Reali i Madridit nuk kryeson vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për forcën e markës së tij me 95.8 pikë nga 100, shifra më e lartë në 281 klube të analizuar. Në këtë rast janë marrë parasysh niveli ndërkombëtar i klubit, tifozeria, historia e tij, prania e futbollistëve të njohur dhe aftësia për të shndërruar prestigjin sportiv në atraksion komercial.

Barcelona nga ana e saj mban vendin e dytë me markën e saj që ka shënuar një rritje me 15% për të arritur një vlerë totale prej 2 miliardë euro. Sipas Brand Finance, një pjesë e mirë e kësaj rritjeje i atribuohet rikthimit të skuadrës në Spotify Camp Nou pas më shumë se 2 vitesh dhe 2 titujve të fituar radhazi në La Liga. Reali i Madridit dhe Barcelona në këtë klasifikim të veçantë kanë krijuar një hendek të thellë me pjesën tjetër të klubeve me Arsenalin që plotëson podiumin me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh duke regjistruar një rritje prej 28%. Me këtë rezultat Topçinjtë e Londrës bëhen klubi që ngjit më shumë shkallë në klasifikim, plot 5, duke qenë se vitin e kaluar pozicionohej në vendin e 8. Te Arsenali ndikoi në këtë rritje fitimi i titullit në Premier League që erdhi pas 22 vitesh pritje dhe arritja deri në finalen e Ligës së Kampioneve.

Pas londinezëve pozicionohet Bayerni i Mynihut me një vlerë 1.5 miliardë euro që shënon një rritje me 21%, i ndjekur nga kampionët e Evropës të Paris Saint Germainit në vendin e pestë. Klasifikimi vijon me Manchester City, Liverpool dhe Manchester United, ndërkohë që dhjetëshja e klubeve me markën më të vlefshme plotësohet nga Chelsea dhe Borussia Dortmund që pozicionohen respektivisht në vendin e 9 dhe të 10.

Përsa i përket kampionateve, sipas Brand Finance, Premier League angleze është kompeticioni kombëtar me markën më të vlefshme në botë dhe menjëherë pas saj renditet La Liga që ka lënë pas Bundesligën gjermane, Serie A italiane dhe Ligue 1 në Francë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Brand Finance (@brand.finance)

Top Channel