Dinamo është mobilizuar maksimalisht në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme europiane të sezonit. Skuadra kryeqytetase do të përballet mbrëmjen e sotme me Pafos, në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të UEFA Conference League dhe klubi blu kërkon mbështetjen maksimale të tifozëve.

Ndeshja do të zhvillohet në orën 21:00 dhe do të transmetohet në Digitalb dhe për Dinamon ajo përfaqëson një sfidë të rëndësishme në rrugëtimin evropian. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim për të lehtësuar praninë e tifozëve në stadium dhe për të krijuar një atmosferë sa më të zjarrtë në mbështetje të skuadrës. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Dinamo City ka bërë të ditur se do të vihet në dispozicion transport falas për të gjithë tifozët që dëshirojnë të jenë pranë skuadrës në këtë përballje.

Nisja e autobusëve do të bëhet nga stadiumi “Dinamo” në orën 18:00, ndërsa tifozët ftohen të bëhen pjesë e kësaj sfide dhe të mbështesin ekipin në një moment të rëndësishëm të sezonit. Vendimi për transportin falas synon të mundësojë një prani sa më të madhe të mbështetësve të Dinamos, duke i dhënë skuadrës një shtysë të rëndësishme nga tribunat.

Tani gjithçka është gati për duelin e mbrëmjes së sotme dhe Dinamo do të kërkojë të shfrytëzojë mbështetjen e tifozëve për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë ndaj Pafos dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Top Channel