Zjarri i shekullit nën kontroll/ Digjen 3 mijë hektarë në Belgjikë, vatrat nëntokësore mund të zgjasin me muaj

19/08/2026 15:35

Zjarrfikësit kanë arritur të rrethojnë zjarrin më të madh të regjistruar në Belgjikë gjatë një shekulli.

Flakët nuk pritet të përhapen më, por vatrat që digjen nën tokën me torfe mund të riaktivizohen për javë ose muaj. Qindra zjarrfikës punuan gjatë gjithë natës në terrenin moçalor të rezervatit natyror High Fens, pranë kufirit me Gjermaninë, për të mbyllur frontin e fundit të zjarrit.

Flakët, të cilat shpërthyen të premten për shkaqe ende të panjohura, kanë djegur rreth 3 mijë hektarë me torfe, pisha dhe shtigje turistike, një sipërfaqe e barabartë me gjysmën e Manhattanit. Autoritetet thonë se zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk mund të përhapet më, por në zonën e gjerë vazhdojnë të shfaqen vatra të reja. Ato po luftohen nga toka dhe ajri, kur kushtet atmosferike e lejojnë.

Avionët zjarrfikës të dërguar nga Norvegjia, Gjermania, Suedia dhe Holanda nuk mundën të ngriheshin për shkak të reve të ulëta. Zjarri detyroi evakuimin e banorëve në qytetin gjerman Monschau dhe në dy fshatra belge. Banorët e Sourbrodt janë lejuar tashmë të kthehen në shtëpi.

Shqetësimi kryesor mbeten të ashtuquajturat “zjarre zombie”. Për shkak të shtresave të torfës, zjarri mund të vazhdojë të digjet thellë nën tokë dhe të rishfaqet papritur në një zonë tjetër. Për zbulimin e vatrave të fshehura po përdoren dronë me kamera termike. Autoritetet paralajmërojnë se operacionet për ftohjen e terrenit dhe shuarjen përfundimtare mund të zgjasin disa muaj.

Top Channel