Rodrigo Hernandes ‘Rodri’ është zyrtarisht futbollist i Barcelonës. Mesfushori spanjoll këtë të martë kreu vizitat mjekësore me klubin katalanas dhe më pas nënshkroi kontratën me kampionët e Spanjës deri në vitin 2030.

Futbollisti 30 vjeçar u transferua te Barcelona nga Manchester City për vlerën e 60 milionë eurove plus 16 milionë të tjerë në formën e bonuseve, nga këto 10 milionë lidhen me objektiva më të vështirë për t’u arritur të lidhura me pjesëmarrjen e futbollistit, ndërsa 6 të tjerët lidhen me objektiva më të lehtë.

Rodri fillimisht ishte pranë transferimit te Reali i Madridit, por pas dëmtimit të De Jong që do të qëndrojë jashtë fushave për disa muaj, Flick kërkoi përforcim në mesfushë dhe Barcelona ndërhyri për Rodrin dhe pas negociatave të shumta me Manchester City arriti marrëveshjen me klubin anglez për kampionin e botës.

Pasi mbylli të gjitha procedurat e rastit; kryerjen e vizitave mjekësore dhe nënshkrimin e kontratës, Rodri bëri edhe prezantimin zyrtar si futbollist i Barcelonës teksa në konferencën për shtyp shpjegoi se përse zgjodhi katalanasit për të vijuar karrierën e tij

‘Dua të them se jam shumë i kënaqur që jam këtu-tha Rodri-është një ditë shumë speciale për mua, një kapitull shumë i rëndësishëm në karrierën time. Ishte një vendim i vështirë. Në radhë të parë, largimi nga Manchester City, një klub që më dha gjithçka dhe ku kam qenë shumë i lumtur. Do t’i jem gjithnjë mirënjohës. I falenderoj që e kuptuan se për mua ishte momenti i duhur për t’u larguar. Barcelona është një klub i madh, një pikë referimi në nivel botëror për mënyrën sesi e kupton futbollin dhe vlerat që përfaqëson. Kisha edhe një opsion tjetër, por Barcelona ishte zgjedhja ime e parë dhe kështu ia bëra të ditur edhe Laportës. Kur të vijnë ofertat, procesi i parë ishte të kuptoja se etapa te klubi im ishte mbyllur dhe më duhej të gjeja një rrugëdalje. Mora kohë për ta asimiluar. Manchester City ka qenë klubi më special ku kam qenë. E studiova dhe analizova, ishin dy klube shumë të rëndësishëm. Bashkë me familjen dhe njerëzit e mi morëm vendimin që besuam se ishte më i drejti. Vendimet e mia gjithnjë kanë qenë të lidhura me sfidat sportive’.

Top Channel