Barazimi është kryefjala e 3 ndeshjeve të para të raundit të playoffit të Ligës së Kampioneve të zhvilluara këtë të martë.

Ishin 3 ndeshje ku në fushën e lojës ishin 3 futbollistë shqiptarë që u aktivizuan si titullarë; Strakosha dhe Pilos në sfidën mes Levski Sofje dhe AEK të Athinës dhe Vedat Muriqi në përballjen mes Fenerbahçe dhe Olympique të Lyonit. Sfida e tretë që u zhvillua këtë të martë ishte ajo mes Dinamos së Zagrebit dhe Viking ku te skuadra kroate, Arbër Hoxha e nisi nga stoli sfidën duke u hedhur në fushë në minutën e 68.

Përsa iu përket rezultateve në fushën e lojës, ndeshja që kishte vëmendjen më të madhe në këtë mbrëmje ishte ajo e zhvilluar në Stamboll mes Fenerbahçes dhe Lyonit një sfidë kjo që përfundoi me shifrat 1-1. Ishin miqtë francezë ata që shënuan të parët pikërisht me Opendën të cilin Juventusi e ka transferuar në formë huazimi, por Fenerbahçe iu kundërpërgjigj në fillimin e pjesës së dytë me golin e Greenwood.

Në sfidën e zhvilluar në Bullgari, mes Levskit dhe AEK, 90 minutëshi nuk prodhoi gola dhe sfida u mbyll 0-0, ndërkohë që ndeshja me më shumë gola ishte ajo mes Dinamos së Zagrebit dhe Viking rezultati i së cilës ishte 2-2. Dinamo e Zagrebit mori avantazhin e dyfishtë 2-0 brenda 10 minutave të para me golat e Beljo dhe Lisica, i cili ia la vendin Arbër Hoxhës. Viking u kundërpërgjigj në minutat 26 dhe 39 duke shënuar me Christiansen dhe Tripic për të barazuar shifrat në 2-2 që mbetën të tilla deri në fund të 90 minutëshit.

REZULTATET 

Levski-Sofje 0-0

Dinamo Zagreb-Viking 2-2( Beljo 6’, Lisica 10’/ Christiansen 26’, Tripic 39’)

Fenerbahçe-Lyon 1-1(Greenwood 47’/ Openda 40’

Top Channel