Një video e siguruar nga Top Channel tregon momentet pas shpërthimit të benzinës në një skaf në Porto Palermo, Himarë, ku mbetën të plagosur katër persona.
Në pamjet e videos shihet tymi që ngrihet pas flakëve, ndërsa pranë skafit afrohet me shpejtësi një gomone, e cila nxiton për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Në një tjetër moment të pamjeve, një qytetar shihet duke notuar me shpejtësi pranë vendit të ngjarjes.
Nga pamjet duket se ngjarja ka ndodhur pranë bregut, çka ka bërë të mundur ndërhyrjen e shpejtë të personave që ndodheshin në zonë.
Të plagosurit janë identifikuar si Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Ata pësuan djegie gjatë punimeve për riparimin e motorit të skafit, pasi benzina në pjesën e motorit dhe në serbator dyshohet se mori flakë.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej personave dyshohet se po konsumonte cigare në momentin kur benzina mori flakë, duke shkaktuar shpërthimin dhe zjarrin.
Katër të plagosurit u dërguan fillimisht në spitalin e Himarës. Njëri prej tyre raportohet se ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër ka marrë djegie edhe më të rënda.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, ata u transportuan më pas drejt Vlorës dhe, pas marrjes së ndihmës së parë, u nisën drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Ngjarja në Porto Palermo ndodhi vetëm një ditë pas zjarrit në një hotel në Vlorë, ku mbetën të plagosur gjashtë persona. Dy prej tyre vijojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Top Channel