Qyteti që përballoi tërmetin në Kolumbi/ Si i mbijetoi Armenia lëkundjeve 7.4 ballë? 27 vite përgatitje pas katastrofës së vitit 1999

17/08/2026 17:34

Banorët e Armenisë, në Kolumbinë perëndimore, u zgjuan të hënën në mëngjes nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4, ndërsa për shumë prej tyre lëkundjet rikthyen kujtimet e tmerrshme të katastrofës së vitit 1999.

Por këtë herë, qyteti me rreth 300 mijë banorë, i ndodhur vetëm 69 kilometra nga epiqendra, doli thuajse i paprekur. Asnjë ndërtesë nuk u shemb në Armeni, nuk pati nevojë për operacione të mëdha shpëtimi dhe, mbi të gjitha, nuk u regjistrua asnjë viktimë.

Ndërkohë, tërmeti shkaktoi dëme të mëdha në pjesë të tjera të Kolumbisë, duke lënë të paktën 285 persona të vdekur dhe mijëra të plagosur. Dhjetëra viktima u raportuan në qytetet Pereira dhe Manizales, ndërsa në Cali numri i të vdekurve arriti në të paktën 95.

Për banorët e Armenisë, reagimi ndaj tërmetit ishte shumë më i organizuar. Shumë prej tyre kujtuan menjëherë ushtrimet e përgatitjes që zhvillohen të paktën dy herë në vit në qytet. Disa u ulën pranë shtretërve, duke krijuar hapësirë mbrojtëse në rast shembjeje, ndërsa të tjerë u pozicionuan pranë frigoriferëve.

Kur lëkundjet përfunduan, banorët pritën sirenat e ambulancave, por ato pothuajse nuk u dëgjuan.

“Qyteti i Mrekullive” që nuk u shpëtua nga një mrekulli

Armenia është quajtur prej vitesh “La Ciudad Milagro”, ose “Qyteti i Mrekullisë”. Por për inxhinierët dhe zyrtarët që morën pjesë në rindërtimin e qytetit pas tërmetit shkatërrues të vitit 1999, mbijetesa e kësaj here nuk ishte rezultat i fatit.

Në vitin 1999, një tërmet me magnitudë 6.2 shkatërroi rreth 60% të ndërtesave të Armenisë dhe vrau gati 1,000 persona.

Pas asaj katastrofe, qyteti u rindërtua me standarde shumë më të rrepta dhe për 27 vite u investua në planifikim urban, përgatitje dhe forcimin e strukturave.

“Ne po përgatitemi. Ne kemi forcuar sistemet tona të ndihmës dhe shpëtimit”, deklaroi kryebashkiaku James Padilla, duke theksuar rëndësinë e ushtrimeve të zhvilluara ndër vite.

Sipas ekspertëve, tre vendime kryesore luajtën një rol vendimtar në rezistencën e Armenisë ndaj tërmetit të fundit.

Së pari, qyteti kreu një studim të detajuar mikrozonal, duke hartuar bllok pas blloku mënyrën se si toka reagon ndaj lëkundjeve sizmike.

Së dyti, u kufizuan ndërtimet në zona me tokë të lirshme, të cilat mund të përforcojnë lëkundjet gjatë një tërmeti.

Së treti, u zbatuan kode ndërtimi më të rrepta dhe të përditësuara.

Pas tërmetit të vitit 1999, Kolumbia krijoi një fond prej rreth 1 miliard dollarësh për rindërtimin e rajonit të prodhimit të kafesë. Fondi për Rindërtimin e Boshtit të Kafesë, FOREC, e ndau Armeninë në 15 zona dhe angazhoi organizata joqeveritare, planifikues urbanë, punonjës socialë, inxhinierë dhe sizmologë.

Filozofia e rindërtimit u përmblodh me katër fjalë, “planifikim i ngadaltë, ekzekutim i shpejtë”.

Ekspertët paralajmërojnë se një nga problemet kryesore të Kolumbisë nuk është mungesa e rregullave për ndërtimet rezistente ndaj tërmeteve, por mënyra se si ato zbatohen.

Ndërtimet informale dhe ato që nuk respektojnë specifikimet teknike vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të madh.

Inxhinieri civil Omar Cardona, një nga ekspertët kryesorë të Kolumbisë për rrezikun sizmik, thekson se ndërtesat e vjetra që u shkatërruan në vitin 1999 nuk ekzistojnë më në Armeni, ndërsa qyteti është rindërtuar duke marrë parasysh rrezikun sizmik.

Megjithatë, në qytete të tjera situata është ndryshe. Në disa raste, ndërtesat e reja nuk respektojnë standardet e kërkuara. Një rast i tillë u evidentua në Pereira, ku një ndërtesë vetëm njëvjeçare u dëmtua rëndë dhe rezultoi se ishte ndërtuar me materiale të papërshtatshme.

Në Bogota, sipas Cardonës, rreth 70% e ndërtimeve janë informale. Për këtë arsye, ai ka hartuar edhe një manual të ilustruar për t’u mësuar punëtorëve dhe zejtarëve mënyra më të sigurta për ndërtimin e banesave të vogla.

Mësimi nga Armenia

Për ekspertët, përvoja e Armenisë tregon se pasojat e një tërmeti nuk përcaktohen vetëm nga fuqia e lëkundjeve, por edhe nga mënyra se si një qytet është përgatitur për to.

Qyteti që u shkatërrua rëndë në vitin 1999, 27 vite më vonë u përball me një tërmet edhe më të fuqishëm dhe nuk regjistroi asnjë viktimë.

“ Mbijetesa ndaj një tërmeti nuk është çështje fati. Është çështje inxhinierie, është çështje shkence”, është përfundimi i ekspertëve.

Për Armeninë, “mrekullia” e kësaj here ishte në fakt rezultat i 27 viteve planifikim, rindërtim, standarde të rrepta dhe përgatitje për një tjetër katastrofë sizmike.

Top Channel