Zjarret në Shkodër, nën kontroll disa vatra, vijon operacioni për shuarjen e flakëve në Vaun e Dejës

13/08/2026 08:17

Disa vatra zjarri janë aktivizuar gjatë natës në Qarkun e Shkodrës, në zonat e Vaut të Dejës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.

Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, zjarret në Shkodër, Malësi të Madhe dhe Vau Dejës u vunë nën kontroll brenda disa orësh.

Në Vau Dejës, operacioni vijon ende. Rreth 30 efektivë zjarrfikës kanë punuar gjatë gjithë natës pa ndërprerje. Në ndihmë të MZSH Vau Dejës kanë shkuar edhe ekipet e MZSH Shkodër, Pukë dhe Fushë-Arrëz, si dhe efektivë e një mjet zjarrfikës të Forcave të Armatosura.

Ndërhyrja bëri të mundur izolimin e zjarrit, shmangien e rrezikut për banesat dhe mbrojtjen e trasesë së linjës së transmetimit.

Aktualisht, në Vau Dejës mbetet një vatër aktive dhe vijon puna për shuarjen e plotë të saj.

Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me AKMC-në, ka vijuar koordinimin e forcave operacionale vendore dhe qendrore.

Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, ka falënderuar efektivët zjarrfikës, Forcat e Armatosura, strukturat e Emergjencave Civile, shërbimin pyjor, Policinë dhe banorët vullnetarë për angazhimin në operacion.

Top Channel