Me 53 deputetët e saj dhe mbështetjen e të paktën tetë deputetëve të tjerë, Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, mund të sigurojë shumicën prej 61 votash që kërkohet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe, nëse i ka të njëjtët numra, edhe për formimin e Qeverisë.
Megjithatë, kjo shumicë nuk është e mjaftueshme vetvetiu për të garantuar zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para. Kjo për shkak se zgjedhja e presidentit kërkon praninë e të paktën dy të tretave të të gjithë deputetëve, pra 80 prej 120 deputetëve, në dy raundet e para të votimit. Kandidati duhet të marrë gjithashtu dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, pra 80 vota.
Në raundin e tretë, nëse dy raundet e para dështojnë, mjafton shumica e të gjithë deputetëve, pra 61 vota. Pikërisht për këtë arsye, thotë Dw, arritja e një marrëveshjeje politike mbetet vendimtare. Një bashkëpunim ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e cila ka 18 deputetë, do t’i çonte këto dy forca në 71 mandate. Nëse atyre do t’u bashkoheshin edhe 10 deputetët e komuniteteve joserbe, do të siguroheshin 81 mandate, një numër që do të mjaftonte për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para, me kusht që të paktën 80 deputetë të ishin të pranishëm në sallë dhe të votohej në favor të kandidatit.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit fillon vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Kështu, Kosova ndodhet sërish përballë një situate ku zgjidhja e ngërçit parlamentar lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e partive politike për të arritur një kompromis për postin e presidentit.
Pas dështimeve të mëparshme për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, një tjetër dështim thonë ekspertët, rrezikon ta ktheje vendin në një cikël të ri zgjedhor dhe në një tjetër periudhë pasigurie institucionale.
Top Channel