UEFA ka bërë një hap gjigant në konsolidimin e VAR-it, duke hartuar udhëzuesin e parë që do të përcaktojë qartë se kur dhe si duhet të përdoret ky sistem.

Platforma e quajtur Clear Line është tashmë në përdorim  dhe përmbledh situatat, rastet, aksionet dhe formulat e përdoruara për të kuptuar përdorimin e teknologjisë që ka gjeneruar kaq shumë debate

‘Pyetja e të gjithëve është se kur mund të ndërhyjë sistemi VAR. Kjo është tema kryesore-shpjegon shefi i Arbitrave në UEFA, Roberto Rosetti-askush nuk e di se kur duhet ta bëjë këtë. U bazuam te  vitet e eksperiencës, situatat e ndryshme VAR dhe më shumë se 100 episode të qarta dhe krijuam Clear Line. Është një dokument ku shpjegojmë kur dhe si duhet të ndërhyjë sistemi VAR. Është përgatitur në mënyrë të tillë që të gjithë të mund të kenë një linjë të qartë. Nuk është diçka vetëm për arbitrat, është për futbollin. Është për futbollistët, për trajnerët, për tifozët dhe për gazetarët’.

Ndërsa Velasco Carballo, edhe ky në UEFA, analizon mënyrën sesi duhet përdorur këtë platformë. ‘Nuk është një faqe interneti për arbitrat, nuk është një faqe interneti i dizenjuar për organizmat arbitrare-tha Carballo-është një faqe interneti për t’i shpjeguar çdo kujt parimet tona kryesore. Është hapësira tek e cila do të dëshironim që kushdo të drejtohej pas një ndeshjeje të Champions League për t’i krahasuar situatat e ndodhura në fushë me ato të paraqitura në platformë. Është një faqe interneti për klubet, për lojtarët, për tifozët. Në disa prej teksteve mund të gjenten shprehje që herë pas here nuk janë me termat e arbitrarve, por këtë e kemi bërë enkas’.

Duke filluar nga ky sezon që do të nisë, UEFA do të ndjekë me rigorozitet këtë dokument që do të lejojë që VAR të jetë më pak ndërhyrës dhe më i përpiktë, që do të thotë të jetë i përqendruar te gabimet më flagrante dhe jo ato mikroskopike.  Ky ishte synimi kur VAR hyri në botën e futbollit dhe pikërisht te ky parim po kërkohet që të kthehet edhe për t’i dhënë njëkohësisht më shumë peshë dhe autoritet figurës së arbitrit kryesor.

Top Channel