Rikthehet kultura e përbashkët/ Botërori, “Odiseja” dhe yjet e muzikës bashkojnë publikun përtej algoritmeve

11/08/2026 12:30

Gjatë këtij viti, mediat dhe revistat kulturore raportuan për ‘fundin e monokulturës, që nënkupton një kulturë të përbashkët që e konsumon dhe e njeh pothuajse e gjithë shoqëria.

Në fillim të 2026, The Wall Street Journal, në një analizë për mënyrën se si secili zgjedh të argëtohet, shkruante se monokultura po shkon drejt vdekjes, duke iu referuar faktit se “të gjithë po shikojmë dhe dëgjojmë përmbajtje të ndryshme, që na ofrohen nga algoritmet që i ndajnë përdoruesit në konsumatorë potencialë”.

Nëse dikur shumica e njerëzve shikonin të njëjtat filma,  dëgjonin të njëjtat këngë dhe flisnin për të njëjtat programe, sot, algoritmet e platformave si YouTube, Netflix dhe TikTok i tregojnë secilit person përmbajtje të ndryshme, bazuar në shijet e tij.

Por, këtë fillim gushti Wall Street Journal doli me një analizë tjetër, për një verë si në kohët e vjetra…

Kupa e Botës i bëri të gjithë bashkë, kultura e vendeve pjesëmarrëse u shndërrua në shfaqje tërheqëse për të gjithë. Skocezët me gajdet e tyre, magjepsën klientët e lokaleve në Boston; norvegjezët bënë të gjithë për vete me paradën vikinge apo anglezët e veshur si luanë apo kryqtarë nxitën shikuesit të mësojnë më shumë për kulturën e tyre. Edhe amerikanët lanë pas politikën për të mbështetur kombëtaren.

Monokulturën na e riktheu po aq sa Botërori edhe Odiseja, filmi i Christopher Nolan, që pavarësisht kritikave që ka marrë, po na çon pas te teksti themelor i qytetërimit perëndimor. Filmi ngjalli kureshtje te të rinjtë që nuk e kanë lexuar kurrë Homerin, por që po “gllabërojnë” veprat e tij, pas jehonës së filmit që ktheu poemën epike në kinema epike, shkruan Wall Street.

Gazetarë, përkthyes, studiues të klasikëve, hidraulikë, marangozë, parukierë, sportistë, duket sikur të gjithë kanë diçka për të thënë për Odisenë dhe aventurat e tij.

Te kjo kulturë e përbashkët kanë ndikuar jo më pak artistë të mëdhenj që kanë bashkuar njerëzit përtej algoritmeve, duke u shndërruar në fenomene kulturore dhe artistike. Të tilla kanë qenë këtë sezon veror turnetë e Bad Bunny, BTS, Ariana Grande apo Taylor Swift, këngëtarja që ndër të tjera mori vëmendjen me dasmën e saj madhështore.

Këto zhvillime lidhen me dëshirën e njerëzve për të debatuar e shkëmbyer mendime për sportin, artin dhe kulturën. Jemi të uritur, përfundon prestigjiozia amerikane, për një angazhim shoqëror dhe intelektual që na lejon të krijojmë kujtime të përbashkëta, përtej kërkesave të brishta të politikës.

Top Channel