PSG bën ofertën e parë për Ferran Torres, Barcelona e refuzon direkt. Katalanasit nuk e lëshojnë lehtë heroin e Kupës së Botës
Barcelona vazhdon ta ketë Julián Álvarez (26 vjeç) si objektivin kryesor për përforcimin e sulmit, edhe pse operacioni me Atlético Madrid nuk paraqitet aspak i thjeshtë. Klubi katalanas e konsideron sulmuesin argjentinas si profilin ideal për të udhëhequr repartin ofensiv në vitet e ardhshme.
Situata kontraktuale e Álvarez dhe kërkesat ekonomike të Atlético Madrid e detyrojnë Barcelonën të marrë në konsideratë disa skenarë. Në këtë kontekst, Lautaro Martínez (28 vjeç) shfaqet si një alternativë e fortë, një emër që pëlqehet shumë nga Deco dhe trajneri Hansi Flick.
Sulmuesi i Interit është plani tjetër që Barcelona po mban në tavolinë në rast se nuk arrin të konkretizojë transferimin e Álvarez. Lautaro nuk është një emër i panjohur për klubin katalanas. Argjentinasi ka qenë edhe më parë në radarët e Barcelonës dhe emri i tij është rikthyer vazhdimisht në planet e drejtuesve të klubit.
Profili i tij përputhet me nevojat e skuadrës. Lautaro është një sulmues që di të kombinojë me shokët e ekipit, të marrë pjesë në ndërtimin e aksioneve dhe, në të njëjtën kohë, të ofrojë prezencë dhe finalizim brenda zonës.
Fakti që Lautaro Martínez konsiderohet si një alternativë e Barcelonës për Julián Álvarez nuk do të thotë se klubi katalanas ka nisur kontakte me rrethin e sulmuesit për një transferim të mundshëm.
Sipas raportimeve, Barcelona nuk ka kontaktuar ende me përfaqësuesit e Lautaros për të vlerësuar mundësinë e një transferimi, në rast se dështon operacioni për Julián Álvarez.
Lautaro rinovoi kontratën me Interin në vitin 2024, duke e zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2029. Në të njëjtën kohë, paga e tij u rrit ndjeshëm, në një lëvizje që tregoi besimin e klubit italian tek sulmuesi argjentinas si pjesë e projektit të së tashmes dhe të ardhmes.
Në Barcelonë, dhe veçanërisht për Hansi Flick, transferimi i një sulmuesi të nivelit të lartë konsiderohet prioritet. Megjithatë, Julián Álvarez vazhdon të jetë në krye të listës së dëshirave.
Lautaro, ndërkohë, mbetet një alternativë e sigurt në rast se negociatat për sulmuesin e Atlético Madrid hasin vështirësi. Barcelona po punon kështu me disa skenarë të hapur gjatë merkatos, ndërsa kërkon të sigurojë sulmuesin që do të jetë referenca e re e repartit ofensiv.
Top Channel