Miliarderi Jeff Bezos hedh sytë nga bota e futbollit. Themeluesi i Amazon është shumë pranë blerjes së një kuote aksionesh të klubit mitik anglez Liverpool.

Bezos është pjesë e një konsorciumi që është në bisedime me pronarët e klubit nga Anfield, Fenësay Sports Group. Sipas asaj që publikohet në median britanike, zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të komunikohet gjatë kësaj jave.

Grupi investitues kryesohet nga Amit Bhatia që më parë ka qenë për një kohë të gjatë aksioner te klubi i Queens Park Rangers. Po kështu, gjithnjë sipas medias britanike, i përfshirë është edhe Eduardo Saverin, bashkëthemeluesi i Facebook me Mark Zuckerberg. Marrëveshja për shitjen e kuotës së aksioneve te një prej njerëzve më të pasur në botë, do të rriste akoma më shumë fuqinë financiare të Liverpool.

Jeff Bezos ka një pasuri me një vlerë neto prej rreth 213 miliardë paund dhe është njeriu i tretë më i pasur në botë, ndërsa Saverin ka një pasuri që vlerësohet me rreth 25 miliardë paundë dhe është njeriu më i pasur në Brazil. Ky investim pritet t’i sigurojë klubit të The Reds plot 4.4 miliardë paundë që do të thotë se kjo marrëveshje do të jetë më e pasura në botën e sportit.

Top Channel