Politico: Pse Meloni po ngre tonin mbi emigracionin dhe përplasjet me Madridin, 7% e votave mund të ndryshojë gjithçka në Itali

10/08/2026 09:07

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po përballet me një rival të ri në krahun e djathtë të politikës, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në Itali po afrohen.

Ngritja e ish-gjeneralit dhe eurodeputetit Roberto Vannacci dhe forcimi i partisë së tij të re, “E Ardhmja Kombëtare”, duket se po e shtyjnë Melonin drejt një linje më të ashpër, veçanërisht për emigracionin dhe sigurinë.

Sipas një analize të Politico-s, kryeministrja italiane po largohet gradualisht nga imazhi më i moderuar që kishte ndërtuar gjatë viteve të qeverisjes dhe po rikthehet në një retorikë më të fortë ndaj emigracionit të paligjshëm.

Një nga treguesit më të qartë të këtij ndryshimi është përplasja e fundit mes Romës dhe Madridit për çështjen e emigracionit.

Qeveria e Melonit ishte e para në Bashkimin Evropian që kritikoi ashpër qeverinë spanjolle pas mbërritjes masive të emigrantëve nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës.

Ndërsa Franca dhe vende të tjera evropiane kanë forcuar kontrollet kufitare, Italia shkoi një hap më tej duke njoftuar pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes së Shengenit me Spanjën.

Në aeroportet italiane u vendosën kontrolle të veçanta për udhëtarët që vijnë nga Spanja. Roma ka bërë të ditur se nuk do t’i heqë këto masa të paktën deri më 15 gusht, ndërsa Madridi ka paralajmëruar kontrolle të ngjashme për udhëtarët që mbërrijnë nga Italia.

“Nuk do të heqim dorë asnjë milimetër nga çështja e emigracionit të paligjshëm”, shkroi Meloni në X.

Ajo theksoi gjithashtu se mbrojtja e kufijve, lufta kundër kontrabandistëve të njerëzve dhe sigurimi i riatdhesimeve efektive do të mbeten ndër politikat kryesore të qeverisë së saj.

Sipas Politico-s, përplasja me Spanjën duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të brendshme politike në Itali.

Me zgjedhjet që priten të zhvillohen që në pranverën e ardhshme, “E Ardhmja Kombëtare” e Roberto Vannacci-t po shënon rritje në sondazhe. Sipas Sondazhit të Politico-s, partia e re ka kaluar tashmë Ligën, një nga partnerët qeveritarë të Melonit, dhe po i afrohet Forza Italia-s.

Ky zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm për Melonin, e cila e nisi karrierën politike si e re në lëvizjen neofashiste të Italisë, përpara se të ndërtonte gradualisht një profil më institucional dhe të pranueshëm ndërkombëtarisht.

Shkencëtari politik Marco Tarchi argumenton se shqetësimi kryesor është pikërisht konkurrenca e re në krahun e djathtë. Sipas tij, çështjet kryesore mbeten të njëjta: siguria, emigracioni dhe identiteti, ndërsa ajo që ka ndryshuar më shumë është toni.

Meloni e kishte ndërtuar një pjesë të rëndësishme të fushatës që e çoi në pushtet në vitin 2022 mbi trajtimin e emigracionit të parregullt. Ndër premtimet e saj ishte edhe krijimi i një bllokade detare në brigjet italiane.

Ky plan nuk u zbatua, por qeveria e saj vazhdoi të ngrinte qendra në Shqipëri për pritjen e migrantëve gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

Ndërkohë, Vannacci po përpiqet të pozicionohet edhe më djathtas. Ai ka vendosur sigurinë dhe emigracionin në qendër të fushatës së tij dhe po promovon idenë e të ashtuquajturit “ri-migrim”, një plan që ende nuk është sqaruar dhe që synon të inkurajojë migrantët të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Kriza e Ceutës, ku dhjetëra mijëra persona kaluan nga Maroku në enklavën spanjolle dhe gati 100 prej tyre humbën jetën, i dha Melonit mundësinë ta rikthente me forcë emigracionin në qendër të axhendës politike.

Giorgio Gori tha për Politico-n se reagimi i kryeministres italiane ishte rezultat i “llogaritjeve thjesht të brendshme politike”. Sipas tij, Meloni po përpiqet të sigurojë që votuesit e saj tradicionalë të mbeten në anën e saj, duke treguar se vazhdon të mbështesë qëndrime të ashpra të së djathtës për emigracionin.

Për Giovanni Orsinën, drejtor i departamentit të shkencave politike në Universitetin Luiss Guido Carli në Romë, përparësia e menjëhershme e Melonit është parandalimi i rrjedhjes të votave nga ‘Vëllezërit e Italisë’.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm me Vannacci-n, qoftë para apo pas zgjedhjeve.

Lorenzo Preliasco, nga kompania e sondazheve YouTrend, vëren se “E Ardhmja Kombëtare” është forcuar ndjeshëm, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, dhe tani regjistron më shumë se 7%.

Kjo shifër mund të jetë vendimtare për të gjithë koalicionin e krahut të djathtë.

“Pa Vannacci-n, qendra e djathtë mund të humbasë zgjedhjet e ardhshme”, tha Preliasco, duke theksuar rëndësinë e këtyre shtatë pikëve.

Megjithatë, njerëzit pranë kryeministres italiane e kundërshtojnë vlerësimin se Meloni po lëviz më tej djathtas për shkak të Vannacci-t.

Nicola Procaccini, një aleat i saj dhe bashkëkryetar i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë në Parlamentin Evropian, argumenton se kryeministrja mbetet aty ku ka qenë gjithmonë.

Ukraina, pika kryesore e ndarjes

Megjithatë, ekziston një çështje ku dallimet mes Melonit dhe Vannacci-t janë shumë më të mëdha: Ukraina.

Si Liga, ashtu edhe Vannacci kërkojnë një qëndrim më të butë ndaj Moskës, kundërshtojnë ndihmën ushtarake për Kievin dhe shprehen kundër rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes.

Meloni, nga ana tjetër, e ka paraqitur Italinë si një mbështetëse të fortë të Ukrainës. Megjithatë, sipas Politico-s, varësia e saj nga Liga brenda koalicionit qeveritar ka kufizuar fushën e kontributeve italiane.

Në katër vjet, Italia ka ndarë rreth 3 miliardë euro, një shumë ekuivalente me rreth një euro në muaj për çdo qytetar italian. Në të njëjtën kohë, Roma nuk është bashkuar me programin PURL të NATO-s për furnizimin me armë të Ukrainës, i cili u krijua pasi Donald Trump i dha fund angazhimeve të reja për ndihmën ushtarake amerikane për Kievin.

Marco Tarchi beson se Ukraina përbën ndryshimin kryesor mes Melonit dhe Vannacci-t. Sipas tij, në fusha të tjera distanca mes tyre po rritet kryesisht në nivelin retorik, për arsye taktike politike.

Bashkëpunëtorët e Melonit nuk e përjashtojnë një aleancë të ardhshme me ish-gjeneralin. Megjithatë, ata e konsiderojnë qëndrimin e tij për çështjet kryesore të politikës së jashtme si një parakusht.

Sipas Procaccinit, nëse Vannacci zgjedh ta vendosë Italinë në anën e Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, bashkëpunimi nuk do të jetë i mundur. Nëse, përkundrazi, ai zgjedh Perëndimin dhe demokracitë liberale perëndimore, atëherë bashkëpunimi mund të jetë i mundur.

Kështu, ndërsa zgjedhjet e ardhshme italiane afrohen, gara brenda së djathtës po bëhet gjithnjë e më e fortë. Meloni përballet me sfidën për të ruajtur votuesit e saj tradicionalë, ndërsa Vannacci po përpiqet të zgjerojë hapësirën politike në të djathtë të saj.

Top Channel