Rrushi i bollshëm, por pa fitim/ Çmimi bie në 70 lekë për kilogram, fermerët e Libofshës paralajmërojnë kalbjen në vreshta

08/08/2026 12:33

Fermerët që kultivojnë rrush në Libofshë po përballen këtë vit me një situatë zhgënjyese.

Pavarësisht prodhimit të bollshëm dhe cilësisë së mirë, çmimi me të cilin po shitet rrushi ka rënë ndjeshëm, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e fermerëve për të mbuluar kostot e prodhimit.

Rreth 70 lekë për kilogram është çmimi që fermerët thonë se po u ofrohet këtë sezon. Një vlerë që, sipas tyre, nuk justifikon shpenzimet për plehrat kimike, karburantin dhe fuqinë punëtore, të cilat janë rritur ndjeshëm.
Për shumë prej tyre, kalimi nga kultivimi i drithërave te rrushi ka qenë një zgjedhje e bërë prej vitesh, pasi kjo kulturë i përshtatet klimës së zonës dhe fermerët kanë fituar eksperiencë edhe nga puna në shtetin fqinj. Por këtë sezon, prodhimi i mirë nuk është shoqëruar me një çmim të mirë në treg.

“Unë disponoj një SIP prej 1 hektarësh dhe prodhoj mbi 50 ton rrush të një cilësie shumë të mirë. Vitin e kaluar e shitëm me një çmim të mirë në tregun e huaj dhe atë vendas, ndërsa këtë vit çmimi nuk justifikon as shpenzimet. Subvencionet nuk kanë vlerë dhe pikat e grumbullimit bëjnë lojë, sipas fermerëve. Shteti duhet të kontrollojë pikat e grumbullimit, që rrushi të mos përfundojë si bostani dhe të kalbet në vreshta”, u shpreh fermeri Dritan Meço.

Të dhënat e zonës tregojnë se, pavarësisht vështirësive, sipërfaqet e mbjella me rrush në Libofshë janë rritur. Fermerët thonë se rritja e sipërfaqeve tregon interesin për këtë kulturë, por çmimet e ulëta dhe kostot e larta mund t’i detyrojnë ata të heqin dorë nga vreshtat. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të garantuar një treg të qëndrueshëm dhe kontroll mbi pikat e grumbullimit, pasi në të kundërt rrezikojnë që një pjesë e prodhimit të mbetet pa shitur dhe të kalbet në vreshta.

Top Channel