Puna me pasaportë digjitale, punëdhënësit detyrohen të publikojnë pagën në çdo njoftim për vendet e lira

08/08/2026 15:23

Një pasaportë e re, por këtë herë jo për të udhëtuar.

Projektligji i ri për nxitjen e punësimit parashikon krijimin e një Pasaporte Digjitale të Punësimit dhe Aftësive. Nga punët e kryera te periudhat e punësimit, kualifikimet, profesionet dhe aftësitë, një profil i vetëm elektronik do të ndërtohet ku mund të gjendet historia profesionale e një personi.

“Pasaporta Digjitale e Punësimit dhe Aftësive synon të krijojë një burim unik, të besueshëm dhe të aksesueshëm informacioni për profilin profesional të individit”, deklron ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Praktikisht sipas projektligjit kjo pasaportë do të largojë mënyrën tradicionale të paraqitjes së dokumentave fizikisht dhe do të mundësojë edhe verifikimin elektronik të informacionit. Të dhënat do të ruhen dhe administrohen përmes një platforme të integruar me bazat shtetërore të të dhënave.

Një tjetër ndryshim lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si shpallen vendet e punës. Punëdhënësit do të kenë detyrimin të deklarojnë vendet e lira të punës ndërsa për herë të parë parashikohet edhe publikimi i intervalit të pagës për pozicionin.

 “Për herë të parë parashikohet edhe detyrimi për publikimin e intervalit të pagës për pozicionet e lira, me qëllim rritjen e transparencës në proceset e rekrutimit dhe krijimin e kushteve për vendimmarrje më të informuar nga punëkërkuesit”, thuhet në njoftim.

Por projektligji nuk ndalet vetëm te pagat. Parashikohet edhe krijimi i një Observatori të Tregut të Punës dhe Aftësive. Ky do të shërbejë si një sistem ku mblidhen dhe analizohen të dhëna për vendet e punës, profesionet që po zhvillohen, kërkesën e tregut dhe aftësitë që mungojnë.

Në këtë mënyrë ndryshimet synojnë që politikat e punësimit të bazohen më shumë te të dhënat reale të tregut ndërsa qytetari të ketë një profil profesional digjital dhe më shumë informacion kur kërkon një vend pune.

Top Channel